Irani dënoi sanksionet e reja të vendosura nga BE dhe Britania e Madhe duke i vlerësuar si “të paligjshme”, pas akuzave perëndimore për transferimin e raketave balistike në Rusi, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, hodhi poshtë pretendimet për shitje raketash, duke përsëritur kundërshtimin e Iranit ndaj luftës Rusi-Ukrainë dhe duke theksuar nevojën për një zgjidhje diplomatike.
Baghaei mbrojti bashkëpunimin mbrojtës të Iranit me kombet e tjera, përfshirë Rusinë, dhe theksoi se këto partneritete “nuk kanë për qëllim palët e treta”.
Ai i kritikoi sanksionet si “të padrejta” dhe “të paligjshme”, duke akuzuar BE-në dhe Britaninë e Madhe për hipokrizi për furnizimin me armë për Izraelin, për të cilin se kryen gjenocid dhe krime lufte në Gaza dhe Liban.
Zëdhënësi iranian dënoi gjithashtu sanksionet e BE-së që synojnë sektorin e aviacionit civil të Iranit, duke i quajtur ato “një shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar”.
BE dhe Britania e Madhe vendosën kohët e fundit sanksione shtesë ndaj Iranit, duke përmendur transferimet e supozuara të raketave balistike në Rusi dhe përfshirjen iraniane në sulmet me raketa ndaj Izraelit. Sanksionet prekin një sërë individësh dhe kompanish, duke përfshirë kompani ajrore iraniane, ndërsa Irani kritikoi mungesën e masave të ngjashme kundër Izraelit për veprimet e tij ushtarake në Gaza dhe Liban.