Edmond Panariti, ish-ministër i Jashtëm, në rubrikën “Çështja e Ditës” të gazetarit Klevin Muka në News24, tha se shqiptarëve u interesojnë rezultatet lidhur me hapjen e negociatave për grup-kapitullin e parë.
Panariti e konsideroi si nisjen e një procesi ku do të shihet se si do të veprojë Shqipëria, pra cilat do të jenë rezultatet, ndërkohë që kemi vende të Rajonit që i kanë hapur, kanë ecur dhe kanë mbyllur grup-kapitujsh, pra duke marrë rezultate.
“Nuk është e rëndësishme hapja, por se si do t’i mbyllësh negociatat. Mos harroni se kemi kapitullin për mjedisin, si do ti përgjigjen pyetjeve lidhur me menaxhimin e mbetjeve. Po për Bujqësinë, si do t’i përgjigjen pyetjeve për bllokimin e fondeve të BE-së? Pra vërtet mund të hapesh negociatat, por si do të mbyllen ato.
Në momentin që do të hapen negociatat për 3 kapitujt e Bujqësisë, do të keni një fotografim të situatës. Si do të paraqitet Shqipëria? Në mënyrën më të varfër të mundshme”, tha Panariti.
Ai tha se ky proces në raport me BE-në duhet të shoqërohet me një dakordësim mes mazhorancësh dhe opozitës.
“Janë ligje që kërkojnë konsensus, pasi çfarë do të ndodhë me to, nëse kemi rotacion pushteti? Do zhbëhen, atëherë ndaj kërkohet që pozita dhe opozita të keni konsensus.
Por a mund të arrihet bashkërendimi mes faktorëve politike dhe jo politikë, kur realizohet miratimi me forcën e kartonit, apo kur e vendos opozitën në një cep atje dhe e godet? Mos harroni se shqiptarët janë të lodhur, një brez u dogj vetë, zgjodhi rrugën të largohet dhe të marrin pasaportat e BE-së duke ikur si emigrantë”, tha Panariti.