Skënderbeu e mbyll fazën e parë të kampionatit në Ballsh, ku ndeshet me Bylisin, në këtë moment rival direkt në luftën për mbijetesë në Superiore, me korçarët 2 pikë para mallakastriotëve. Në një situatë të tillë, për skuadrën e trajnerit Ivan Gvozdenoviç do të ishte mirë edhe barazimi kundër Bylisit ditën e diel.
Pika do të kishte vlerë për momentin, duke ditur që korçarët vijnë pas dy humbjesh radhazi dhe gjendja psikologjike nuk është ajo më e mira. Me një barazim të mundshëm, Skënderbeu do të mbante prapa Bylisin në renditje, duke shmangur kështu presionin që sjellin dy vendet e rënies direkt nga kategoria. Bylisi është një kundërshtar mjaft i fortë, edhe pse qëndron në vend të parafundit.
Korçarët kanë nisur dje përgatitjet për këtë sfidë me bindjen se i pret një 90- minutësh mjaft delikat. Trajneri Gvozdenoviç vazhdon të ketë mungesa në grup, pasi Janaqi dhe Rashica janë ende me Kombëtaren U-21, që luan sot ndeshjen e radhës. Bashkë me ta ishte edhe Nikaj, por shkodrani la grumbullimin për dëmtim, duke krijuar jo pak shqetësim te numri 1 i stolit bardhekuq, pasi ai është një titullar i rëndësishëm.
Skënderbeu luajti fundjavën e kaluar dy ndeshje miqësore me Pogradecin me Maliqin, ku është parë gjendja e të gjithë lojtarëve në dispozicion. I skualifikuar është mbrojtësi kolumbian Vaskez dhe trajneri Gvozdenoviç duhet të vendosë për partnerin e kapitenit Prençi në qendër. Skema e lojës gjithsesi nuk ndryshon, me trajnerin serb që mbetet besnik i 4-3-3-shit. Mund të ketë edhe ndonjë ndryshim tjetër në formacion, por stafi teknik ka edhe disa ditë kohë për të vendosur.
TABUJA E TRANSFERTAVE – Korçarëve u duhet të thyejnë tabunë e transfertave për këtë kampionat, ku deri tani kanë regjistruar vetëm humbje. Fakt është që kanë qenë të gjitha transferta shumë të vështira, sepse Skënderbeu është ndeshur me tri skuadrat e kryeqytetit dhe është mundur me rezultatin 2-1 të tria herët. Në Ballsh ndoshta mund të jetë rasti për të prishur “mallkimin” e ndeshjeve jashtë fushe. Sepse qoftë edhe për një objektiv minimal, si qëndrimi mes më të mirëve, duhen edhe pikët jashtë fushe.