Deputetja e Partisë Demokratike të Shqipërisë Dhurata Çupi, e ftuar në rubrikën Opinion në News 24 foli edhe për mosbindjen civile të opozitës.
Çupi u pyet nga gazetarja Ina Qirjo nëse mosbindja civile ka pasur elemente të dhunës. Çupi tha se ka dëgjuar të flitet për “djegien e selisë së PS-së”, por shtoi se “nuk ka pasur asnjë lloj djegie të selisë të Partisë Socialiste, por thjesht është hedhur molotov drejt kësaj selie”.
Dhurata Çupi shtoi se asgjë e keqe nuk vjen nga protestat dhe vlerësoi se Shqipëria ka nevojë për qeveri teknike.
Dhurata Çupi: Ne nuk kemi djegur selinë e PS-së. Thjesht është hedhur një molotov. Nëse qytetarët mendojnë se duhet protestuar përballë qeverisë, atëherë do respektojë vendimin qytetar. Ne sot kemi korrupsion të shtuar dhe janë kauza që mbështeten nga qytetarët. Protestat nuk kanë asgjë të keqe, vetëm e zhvillojnë demokracinë.
Nuk mund të fshehim problemet që ka Shqipëria. Është e domosdoshme qeveria teknike në Shqipëri, pasi nuk ka zgjedhje të lira, por ne do të hyjmë në zgjedhje. Ne po futemi në mënyrë të pabarabartë në zgjedhje.
(Balkanweb)