I dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, tha sot se kontrolli manual i kamionëve nga Serbia qendrore në vendkalimin Merdare nuk është i paligjshëm sipas standardeve të CEFTA-s, por do të ishte mirë që kamionët të lëviznin më shpejt.
“Kontrolli fizik, manual i kamionëve me mallra për arsye sigurie nuk është i paligjshëm sipas standardeve të CEFTA-s, as kontrolli fitosanitar në Serbi,” tha Sarrazin në një konferencë me gazetarët nga rajoni.
Sarrazin tha se ishte mirë që Kosova hoqi ndalimin për importimin e mallrave nga Serbia, e cila zhbllokoi CEFTA-n, por se fotografitë nga Merdari tregojnë “disa probleme”.
Qeveria e Kosovës vendosi ta heqë ndalimin pas presionit të Gjermanisë, por paralajmëroi kontroll të detajuar manual të kamionëve me mallra nga Serbia vetëm në vendkalimin Merdare, derisa të mbërrijnë skanerët. Për shkak të kësaj, në vendkalim është krijuar një varg i gjatë kamionësh dhe drejtuesit e mjeteve janë duke pritur për disa orë.
“Ne jemi të vetëdijshëm për situatën dhe po e monitorojmë nga afër,” tha Sarrazin.