BERAT

Prodhimi i ullirit në Bilçë, jo në sasinë që pritej ka bërë që fermerët të ankohen për mungesën e tregut dhe fuqinë punëtore.

“Tregu mungon, po ashtu edhe fuqia punëtore. Nuk kemi marrë asnjëherë grante dhe subvensione nga qeveria, plehrat kimikë në çmime stratosferike, jemi drejt falimentimit”-thonë ata.

Berati njihet si një nga qytetet me prodhimin më të madh të ullirit në vend, prodhim të cilin një pjesë e fermerëve e eksportojnë edhe jashtë vendit. Por ky vit nuk solli për ta pritshmëritë e pritura pasi prodhimi i ullirit doli me cilësi por jo në rendimentin e një viti më parë.

Kushtet armosferike të verës së nxehtë dhe pa shira të këtij viti përgjysmuan prodhimin dhe ky përgjysmim i prodhimit ka ndikuar negativisht tek fermerët që mbajnë familjet e tyre me shitjen e ullirit dhe vajit që prodhohet prej tij. Në tregjet e Beratit duket qartë sasia e pakët e ullirit, çmimi i të cilit këtë vit është rritur.

Në treg 1 kg ulli këtë vit ka shkuar në 200-250 lekë (të reja) nga 130-150 lekë që ka qenë kg vitin e kaluar. Banorët e fshatit Bilçë shprehen se, plehrat kimike dhe pesticidet këtë vit janë rritur dhe atyre nuk u del as kostoja që kanë shpenzuar për shërbimet që i kanë bërë pemëve të ullirit.

Ata deklarojnë se, ulliri është e vetmja e ardhur ekonomike që ata kanë për të mbajtur familjet e tyre por nga viti në vit ata po zhyten në borxhe pasi nuk nxjerrin dot as lekët e plehrave kimike e pesticideve, pa llogaritur shërbimet dhe punën e tyre. Sipas fermerëve, shteti shqiptar nuk i ka hedhur asnjëherë sytë nga ata, as për ndikuar në uljen e çmimeve të plehrave kimikë që fermeri të ketë mundësi të mbijetojë dhe të ushqehet. Fermerët pohojnë se, ata nuk kanë marrë asnjëherë asnjë ndihmë ekonomike, grante apo subvension nga shteti edhe pse qeveria ka vite që deklaron se po ndihmon fermerët.

Në lidhje me fuqinë punëtore, fermerët shprehen se mungon fuqia punëtore dhe se pjesa më e madhe e ullinjve vilen nga moshat e mëdha dhe pensionistët pasi të rinjtë janë larguar nga fshati. Fermerët ankohen edhe për mungesën e tregut për shitje por edhe për tregtarët, të cilët-sipas tyre-e rrisin çmimin si u do qejfi edhe pse fermerëve ua marrin me çmim të lirë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb