Kryetari i Partisë Mundësia Agron Shehaj hapi sot degën e Korçës. Mes qindra qytetarëve korçarë, Shehaj tha se sfida e madhe është përballja me thesin e madh të parave që ka pushteti, por që vetëm vota është zgjidhja.
“Votat në kutitë e votimit nuk i vjedh njeri. Votat nuk vidhen ditën e votimit. Votat Rama i mbledh nëpërmjet mediave. Rama kontrollon pjesën më të madhe të mediave…ose më mirë po shkojmë përtej votave dhe mediave. Rama të nderuar, ky kryeministër që ka marrë pushtetin nuk e lëshon më, edhe ka ndaluar de facto rotacionin politik, ka mbledhur një sasi të jashtëzakonshme parash. Ka një thes të madh me para. Një thes imagjinoni, nga paratë tona, të secilit prej jush.
Ca para i ka nga shëndetësia, ca nga arsimi, ca nga tenderat, ca nga rruga 1.3 miliard euro, ka një thes gjigand parash dhe me ato para që ka te ai thesi i madh, nëpërmjet mediave, nëpërmjet kapjes së biznesit, merr votat. Ky është problemi, është thesi me para që ka Rama. Lëre vjedhjen e votave. Këto mund të ndodhnin para 20 viteve. Nuk ndodh më. Ne kemi qenë pjesë e zgjedhjeve. Kam qenë pjesë e zgjedhjeve. Te kutia e votimit, votën tënde, nëse ti e shënon “Mundësia” nuk ta merr njeri, për këtë mos e vrit mendjen. Ajo sfida e madhe që kemi është që të konkurrojmë me Edi Ramën dhe të themi realitetin në shëndetësi, duke thënë të vërtetën, ndërkohë që Rama ka një thes të jashtëzakonshëm dhe e përdor këtë thesin e madh me para, që t’ua mbushë mendjen të gjithëve, që nuk është e vërtetë që nuk ka ilaçe nëpër spitale. Ka thesin, kjo është sfida e madhe. Është sfidë, por nuk është e pamundur.
Nuk duhet ta harrojmë që ky është problemi i madh, ai thesi gjigand me paratë, paratë me thesin gjigand. Ky është problemi. Kështu që ne me këtë duhet të merremi. Ne këtë duhet të themi. Është e pamundur? Jo, nuk është e pamundur. Nuk është e pamundur, por duhet të punojmë dhe të jemi të vetëdijshëm. Ai thesi për të cilin flas unë bën namin nëpër media, bën namin nëpër debate. Këdo që dëgjoni që flet nëpër debate politike dhe pa pikë turpi është gjithmonë me të fortët, gjithmonë me kryeministrin, me ministrinë korruptuar dhe nuk është kurrë me qytetarin e thjeshtë, është sepse ka marrë një pjesë nga ai thesi. Kjo bën diferencën. Është thesi me para, që i ka bërë njerëzit të mendojnë që Rama është e pamundur ta mundësh. Sepse ka atë thesin dhe është e vërtetë. I ka vërtetë ato para. Këtë duhet të dimë”, tha Shehaj.
(Balkanweb)