Jemi mësuar që shitjet e mëdha të Superiores të bëhen në muajin janar, që është edhe dritarja e radhës sa i përket transferimeve. Te Partizani janë disa lojtarë, që mund të lëvizin në 2025-ën, me klubin, që mund të përfitojë të ardhura të rëndësishme.
I pari është Arinaldo Rrapaj, i cili këmbëngul të largohet dhe ndjen se ka ardhur pikërisht momenti i duhur. Në verë klubi i refuzoi ofertat, por në janar pritet që përfaqësuesit e lojtarit pritet të sjellin propozime të tjera dhe të këmbëngulin për shitjen.
Situatë e njëjtë është edhe për lojtarë si Hadroj dhe Mba, që gjithashtu kërkojnë një eksperiencë më të madhe jashtë vendit. Forma në rritje e Sembene ka ngjallur gjithashtu interes nga klube jashtë vendit dhe priten oferta.
Sakaq, Bintsuka dhe Cara dalin të lirë në verë dhe në janar kanë të drejtën të firmosin një parakontratë me klubin e ri. Kjo bën që ata të presin deri në verë për të firmosur një kontratë ndoshta më fitimprurëse.