Një udhëkalim 4-5 ditor mes maleve për të apasionuarit pas hiking, me disa ndalesa në bujtina apo stane, me shumë atraksione natyrore dhe kulturore, mes ushqimesh ta traditës e përmes pyjeve me gështenja: ky është itinerari më i ri turistik i quajtur “Shtegu i Gështenjave”.
Ky itinerar i veçantë turistik i përgatitur me shumë kujdes mes specialistëve të turizmit e promovimit, guidave lokale dhe banorëve të zonës, me mbështetjen e organizatës ndërkombëtare FAO do të kremtohet pas disa ditësh në një festë të veçantë dhe seminare në Tropojë, të cilat përkojnë dhe me kohën e vjeljes së gështenjave në këtë rajon.
“Shtegu i Gështenjave” është një itinerar unik, që lidh Malësinë e Madhe me Tropojën, e që kalon mespërmes vendeve e fshatrave që tashmë janë në fokus në turizmit duke u ofruar vizitorëve një përvojë unike, që nga mikpritja tradicionale deri te natyra magjepsëse. Tropoja është e njohur për natyrën e egër e të paprekur dhe traditën e mikpritjes, duke e kthyer kështu në destinacionin më të dashur për të gjithë ata që dashurojnë turizmin malor.
Shqipëria e veriut njihet për masivet e mëdha të gështenjave në vendin tonë, sidomos në rajonin e Tropojës dhe Shkodrës. Gështenjat janë një burim i mirë ushqimi për këto zona, për mjaltin me aromën dhe vetitë e veçanta, për lëndën drusore por dhe për pasurimin e peizazhit, duke e bërë edhe më magjepsës. Për këtë arsye mendohet që ky itinerar turistik do të jetë një vlerë e shtuar për rritjen e turizmit të qëndrueshëm në këto zona. Të parët turistë të organizuar do ta përshkruajnë këtë itinerar të ri turistik këtë jave dhe në fund të tij do të zhvillohet edhe festa, për të nisur me këmbë të mbarë një rrugëtim i cili do të futet në hartat e shumë e shumë udhëtarëve nga Evropa.