Telashet me ushqimin e ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës do të zgjasin edhe ca kohë.

Dje, Zyra e Prokurimit e Ministrisë së Mbrojtjes ka publikuar njoftimin në E-prokurimin për anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit.

Nga njoftimi kuptohet se ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka refuzuar të nënshkruajë kontratën për furnizim me bukë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilën Zyra e Prokurimit e kishte proceduar në mënyrë urgjente.

Disa javë më parë ministria e Mbrojtjes kishte shmangur parimet bazë të prokurimit, duke mos lejuar konkurrencë të gjerë.

Në një procedurë të negociuar, prokurimi i ministrisë kishte shpallur fitues një konsorcium të përbërë nga N.T.P HAJDINI COMERC dhe BYLMETI-KS, për një shumë prej saktësisht 2,149,000.00 euro. Kohëzgjatja e kontratës ishte parashikuar të ishte gjashtë muaj.

Megjithatë, edhe pas këtij vendimi, ministria kishte hasur në vështirësi për të realizuar furnizimin me bukë për ushtarët.

“Arsyeja e anulimit të procedurës është se nuk janë plotësuar kushtet sipas kërkesave të paragrafit 2 të nenit 26 të Ligjit Nr. 04/L-042, Ligjit për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 04/L-237, Ligjin Nr. 05/L-068 dhe Ligjin Nr. 05/L-092”, thuhet në arsyetimin e anulimit të tenderit.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Paragrafi 2 i nenit të përmendur thekson se kontrata, për të qenë e plotfuqishme, duhet të nënshkruhet edhe nga ministri.

“2. Përveç nënshkrimit të zyrtarit përgjegjës të prokurimit, të përmendur në paragrafin 1 të këtij neni, kontratat me vlera të mëdha të autoriteteve kontraktuese duhet të nënshkruhen edhe nga Zyrtari Kryesor Administrativ, si dhe Ministri ose autoriteti tjetër përkatës publik. Nga kjo rregull përjashtohen Presidenti, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri. Nënshkrimet e përcaktuara sipas këtij neni konfirmojnë dhe pranojnë të drejtat dhe detyrimet e përcaktuara në kontratë. Kontratat që nuk nënshkruhen në pajtim me paragrafët 1 dhe 2 të këtij neni janë të pazbatueshme”, thuhet në këtë nen.

Screenshot 2024 10 15 224839
Screenshot 2024 10 15 224839

Kujtojmë që në emër të emergjencës për të mbajtur ushtrinë me furnizime të domosdoshme, ministria kishte zgjedhur procedurën e negociuar.

Shuma prej saktësisht 2,149,000.00 euro ishte fituar nga një grup kompanish në konsorcium, N.T.P HAJDINI COMERC dhe BYLMETI-KS.

Oferta i ishte dërguar gjithashtu edhe dy operatorëve të tjerë, por ky grup kishte ofertën më të lirë.

Në të dy rastet e fundit, Ministria e Mbrojtjes ka përdorur procedurën emergjente të negociuar për furnizimin dhe përgatitjen e ushqimit për ushtarët.

Kur kontrata ishte lidhur në prill me “Beni Dona”, arsyetimi i ministrisë ishte se tenderi i hapur prej 13 milionë euro ishte në shqyrtim nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) dhe vonesat ishin shkaktuar pasi kontratës ekzistuese për ushqim i skadonte vlefshmëria. OSHP kishte urdhëruar ministrinë që të anulonte atë tender për shkak të shkeljeve dhe tenderi ishte anuluar më 26 shkurt 2024.

Prej asaj kohe ministria e Mbrojtjes nuk ka hapur asnjë tender për furnizimin me ushqim.

Por, tashmë ministria ka vendosur që të përgatis ushqimin në kazerma të veta ushtarake, për çka ka hapur edhe konkurs për kuzhinierë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: