Ekspedita arkeologjike që po zhvillohet tek Forumi Bizantin në Durrës ka nxjerrë në pah elementë të rinj në lidhje me funksionin e këtij monumenti gjatë periudhës së antikitetit të vonë dhe mesjetës.

Arkeologia Brikena Shkodra, e cila drejton ekspeditën, thotë se qëllimi ynë në nisje të kësaj ekspedite ishte të identifikonim funksionet e këtij monumenti deri në shekullin 14-15 dhe tashmë ne kemi zbuluar se stratigrafia e monumentit ruhet e pagërmuar dhe pas shekullit të 6-të kanë ekzistuar dy nivele përdorimi jete.

“Sërish këtë vit fokusohemi në mbledhjen e informacioneve të mëtejshme për të njohur historinë e funksionimit dhe transformimit të forumit rrethor. Është struktura më e rëndësishme e qytetit gjatë antikitetit të vonë, sepse është qendra publike e qytetit në këtë moment historik (shekulli Vi)”, thotë arkeologia Shkodra.

Kjo është ekspedita e katërt arkeologjike e viteve të fundit. Gjatë këtyre ditëve, arkeologët kanë zbuluar disa skelete njerëzish, për të cilat Shkodra thotë se janë me rëndësi për të përditësuar të dhënat ekzistuese rreth varrezës mesjetare të qytetit.

“Jemi pothuajse 70 cm nën nivelin aktual të përdorimit të qytetit dhe kemi hasur në gjurmët e varrezës. Bëhet fjalë për një varrezë të periudhës mesjetare. Nuk e përcaktojmë dot saktësisht momentin kronologjik sekur në mesjetë por është një e dhënë shumë e rëndësishme sepse dokumentimin e periudhës së varrezës mesjetare të qytetit e kemi me të dhëna tepër sporadike”,- thotë arkeologia që drejton ekspeditën.

Forumi Bizantin është një monument në formë kolonade, i pambuluar dhe ka qenë një hapësirë ku organizoheshin aktivitete sociale, kulturore dhe politike. Këto janë të dhëna të siguruara nga burimet historike, ndërkohë që ekspeditat arkeologjike që ajnë zhvilluar në këtë vend kanë zbuluar se në periudha të ndryshme historike kanë ekzistuar edhe taverna që shërbehej ushqim si dhe punishte për prodhimin dhe tregtimin e enëve të qelqit. Kjo ekspeditë që po kryhet është e katërta në total në harkun e dy viteve të fundit. Gërmimet po kryhen në kuadër të projektit ‘Dyrraciumi në antikitetin e vonë”, i cili realizohet nga Instituti i Arkeologjisë me mbështetjen financiare të Akademisë së Shkencave.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb