Ukraina po kërkon ftesë për anëtarësim në NATO, para largimit të Joe Bidenit nga posti i presidentit të SHBA-së, duke argumentuar se do të ishte trashëgimi e duhur e dhënë nga presidenti amerikan, ka thënë një diplomat i lartë ukrainas.
“Ideja jonë është se dhënia e ftesës për Ukrainën në këtë moment do të jepte sinjal politik”, ka thënë Nataliia Galibarenko, ambasadore e Kievit në NATO, për Reuters.
“Ne besojmë me të vërtetë se mund të jetë pjesë e trashëgimisë së administratës së tanishme amerikane”, ka thënë ajo.
Muajin e ardhshëm, zgjedhjet presidenciale amerikane mund të krijojnë pasiguri të thellë për Ukrainën, meqë Washingtoni ka qenë furnizuesi më i madh i armëve për Kievin në luftën kundër pushtimit të Rusisë.
Teksa zëvendëspresidentja demokrate, Kamala Harris ka sinjalizuar për vazhdim të mbështetjes së Ukrainës, ajo nuk ka shprehur atë nivel të mbështetjes. Ish-presidenti republikan, Donald Trump nuk e ka bërë të qartë se si do ta përballojë situatën e luftës.
Të qenit në NATO do e bënte Ukrainën pjesë të paktit të përbashkët të mbrojtjes së aleancës ushtarake, e cila thotë se nëse sulmohet një anëtar, ky sulm konsiderohet sulm ndaj të gjithë anëtarëve, edhe pse procesi i anëtarësimit mund të marrë vite të tëra për t’u përshtatur me standardet e NATO-s.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e ka bërë të qartë gjatë javëve të fundit, se e sheh ftesën e NATO-s si pjesë e “planit të tij të fitores”.