Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Serbisë, Aleksandar Vullin, është takuar të mërkurën me drejtorin e Shërbimit të Jashtëm për Inteligjencë të Rusisë, Sergey Naryshkin.
Vullin dhe Naryshkin kanë diskutuar për përmirësim dhe forcim të bashkëpunimit mes strukturave të sigurisë së Serbisë dhe Rusisë, ka thënë Qeveria e Serbisë, më 16 tetor.
Sipas komunikatës së Qeverisë, Naryshkin ka thënë se “përpjekjet e zëvendëskryeministrit Vullin, i cili, duke kryer funksionet e ministrit të Mbrojtjes, të Punëve të Brendshme dhe drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA), ka ndikuar në zhvillimin e marrëdhënieve të mira mes shërbimeve serbe dhe ruse.”
Vullin, në anën tjetër, ka falënderuar shefin rus të spiunazhit për “partneritetin e besueshëm dhe gjithmonë të sigurt, si dhe mbështetjen ndaj Serbisë”.
Përveç takimit me Naryshkinin, Vullin pritet të takohet edhe me zyrtarë tjerë rusë, dhe do të marrë pjesë në një pritje të Ambasadës së Serbisë në 80-vjetorin e çlirimit të Beogradit nga pushtimi gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Vulin konsiderohet si një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kremlinit në udhëheqësinë serbe.
Ai është takuar edhe me presidentin rus, Vladimir Putin, në margjinat e Forumit Ekonomik Lindor në Vlladivostok, kur ka deklaruar se Serbia nuk është vetëm partnere strategjike, por edhe aleate e Rusisë.
Në janar të këtij viti, Vullin është nderuar nga presidenti i Rusisë dhe Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë.