Një prej luftëtarëve ukrainas që prej kohësh lufton në front përballë rusëve ka zgjedhur të kalojë disa ditë pushime në Tiranë. Ai është pritur në takim nga kryebashkiaku Erion Veliaj, të cilit i ka dhuruar një flamur të Ukrainës duke e falënderuar për kontributin e qytetarëve të Tiranës në betejën e popullit ukrainas.

“Përshëndetje të gjithëve! Jam me Aleksin, shokun tim nga Ukraina i cili vjen nga fronti dhe ka zgjedhur që ato pak ditë pushime që ka nga fronti i luftës, t’i kalojë me ne në Tiranë. Na ka sjellë një flamur të Ukrainës me një falenderim për të gjithë qytetarët e Tiranës që kanë kontribuar për përpjekjen dinjitoze të popullit të Ukrainës në këtë betejë”, shprehet Veliaj.

Nga ana e tij, luftëtari nga Ukraina shprehet se flamuri mban firmat e të gjithë bashkëluftëtarëve të tij si shenjë falënderimi ndaj Veliajt dhe popullit shqiptar, për kontributin e madh që kanë dhënë për popullin e tyre në këto kohë të vështira.

“Është një kënaqësi dhe nder të jem këtu me Erionin, mikun tim dhe të popullit të Ukrainës, dhe t’jua sjellë këtë dhuratë të firmosur nga bashkëluftëtarët e mi si shenjë falenderimi për kontributin e madh që ka dhënë Erioni dhe populli shqiptar”, deklaroi ai duke e mbyllur fjalën e tij me një falënderim në gjuhën shqipe.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb