Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka prezantuar një plan, që ai beson se do të ndryshonte kahen e luftës në të mirë të Kievit, dhe do të mund t’i jepte fund konfliktit me Rusinë, jo më larg se vitin e ardhshëm.
Në një fjalim të mbajtur para Parlamentit ukrainas, më 16 tetor, Zelensky ka bërë thirrje që “partnerët t’i heqin kufizimet për përdorim të armëve me rreze të gjatë në gjithë territorin ukrainas të pushtuar nga Rusia, në territorin rus dhe në infrastrukturën ushtarake të armikut”, dhe të ofrohet ndihmë në “furnizim të brigadave rezervë”.
Në “Planin e fitores” të përbërë prej pesë pikave, ai ka e ka hedhur poshtë mundësinë e copëtimit të territorit ukrainas, dhe ka bërë thirrje që Kievit të ftohet për t’iu bashkuar aleancës ushtarake të NATO-s, dhe që Kievi të pajisjet me një paketë strategjike parandaluese jobërthamore.
Lideri ukrainas ka thënë se do të prezantojë hollësitë e planit të enjten në një samit të Bashkimit Evropian, që do të mbahet në Bruksel.
Ai ka thënë se planin e ka diskutuar me liderë të Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Italisë dhe Gjermanisë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se Ukraina duhet të “kthjellet”, dhe e ka akuzuar Zelenskyn se vetëm e ka “kamufluar” një plan amerikan.
Moska kundërshton hapur anëtarësimin e Ukrainës në NATO, dhe një mundësi të tillë e përdor si pretekst pse e ka nisur luftën në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.