Për Dinamon ndoshta do të ishte më mirë që kampionati të mos ishte ndërprerë para derbit me Tiranën, i vlefshëm për javën e 9-të. Blutë kanë fituar dy ndeshjet e fundit, me Vllazninë dhe Laçin, duke qenë në një gjendje psikologjike më të mirë se kundërshtari dhe mund të ishte më mirë që të luanin direkt kundër bardhebluve.

Megjithatë, në anën tjetër kjo periudhë dyjavore i ka shërbyer stafit teknik për të rregulluar disa gjëra, që trajneri Ilir Daja i ka evidentuar edhe pas fitoreve. Dinamo është në kulmin e përgatitjeve për derbin, ku shkon me dy mungesa të sigurta, që janë mbrojtësi Rustem Hoxha për dëmtim dhe mesfushori Bakari Gudiabi për kartonë.

FORMA E SULMIT – Shpresat e Dinamos për të kaluar me sukses edhe sfidën e javës së fundit të fazës së tretë janë të mëdha. Çdo gjë varet nga ajo që do të japë në fushë gjithë skuadra, por sulmi i bluve premton të bëjë diferencën për momentin. Të gjithë lojtarët e këtij reparti gëzojnë një formë mjaft të mirë, veçanërisht Mandela dhe Zabërgjas, të cilët për momentin janë edhe shënuesit më të mirë të skuadrës me nga 5 dhe 3 gola.

Në dy fitoret e fundit, të dyja me rezultatin 2-1, Mandela ka realizuar 2 herë, ndërsa 2 golat e tjerë kanë për autorë Bregun dhe Zabërgjën. Vlonjati ka shënuar 2 gola deri tani me fanellën e “Nëndetëses”, ndërsa Lorenco Vila 1 gol. E veçanta e Dinamos është se të gjithë golat e deritanishëm në kampionat i ka shënuar me sulmuesit. Forma e mirë e tyre jep shpresë edhe për derbin e së shtunës.

ALTERNATIVAT – Sa i takon sulmit, pozitiv është fakti që tashmë janë shtuar edhe alternativat për stafin teknik të Dinamos. Nani dhe Qardaku kanë lënë pas dëmtimet që i mbajtën larg fushave për disa javë dhe janë gati për stafin teknik blu. Gjatë ndeshjes, në varësi të situatave të lojës, këta dy lojtarë mund të jenë të nevojshëm për ekipin . Në dispozicion është edhe Zhordi, i cili është aktivizuar me Dinamon U19 në disa ndeshje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb