Avokatët e manjatit të muzikës Sean ‘Diddy’ Combs i kërkuan një gjykatësi në Nju Jork të detyrojë prokurorët të zbulojnë emrat e individëve që e akuzojnë atë në çështjen për trafikim seksual.
Në një letër drejtuar gjykatësit federal, avokatët argumentuan se Combs duhet të njihet me identitetet e viktimave të supozuara për të përgatitur mbrojtjen e tij për gjykim, i cili është caktuar për më 5 maj.
54-vjeçari Combs mbetet në paraburgim pa të drejtën e lirimit me kusht pas arrestimit më 16 shtator për akuzat federale.
Avokatët e tij kanë kërkuar lirimin në shtëpi për t’u mundësuar të takohen më lehtë dhe të përgatiten për gjyq, por deri tani gjykatësit e kanë konsideruar atë një rrezik për komunitetin.
Kërkesa për identitetet e akuzuesve vjen pas ngritjes së gjashtë padive të reja anonime ndaj Combs, ku dy akuzues janë femra dhe katër meshkuj.
Paditësit pretendojnë se Combs ka shfrytëzuar famën e tij për të manipuluar viktimat, duke i ftuar në darka luksoze ku është përdorur droga dhe më pas janë sulmuar seksualisht.