Partizani do të plotësohet sot pas rikthimit të lojtarëve që ishin të grumbulluar me Kombëtaret e Shqipërisë, Kosovës dhe Kongos. Dyshimet e vetme janë për sulmuesin Arçejnxh Bintsukës, i cili ka një udhëtim shumë të largët dhe ndoshta vonesat e fluturimeve mund të bëjnë që ai t’i bashkohet skuadrës nesër ose pasnesër.
Dje Bintsuka ishte në stol për Kongon në ndeshjen kundër Afrikës së Jugut, që përfundoi 1-1 dhe ishte e vlefshme për Kupën e Kombeve të Afrikës. Nga ana tjetër, si titullarë për ekipet U-21 luajtën Marçelino Preka me kuqezinjtë dhe Redon Ismaili me “Dardanët”. Ndërsa mbrojtësi i djathtë, Andi Hadroj, nuk mori minuta në ndeshjet e Kombëtares shqiptar kundër Çekisë dhe Gjeorgjisë.
Ndërkohë, në seancën e djeshme, Veselinoviç ka pasur në dispozicion të gjithë lojtarët e tjerë që nuk ishin të angazhuar me kombëtaret. Lajm i mirë për stafin është se lojtarët janë të gjithë gati.