Kuvendi zhvillon nesër seancën e rradhës, ndërsa opozita ka paralajmëruar se nuk do të ketë normalitet në punimet parlamentare. Opozita ka marrë këto qëndrime që pas dënimit me 1 vit burg të Ervin Salianjit, vendim i dhënë nga Gjykata e Apelit.

Por çfarë pritet të ndodhë nesër në seancën parlamentare? A do të lejohen deputetët e opozitës të futen në sallë, ndërsa në seancën e shkuar u penguan nga Garda e Republikës?

Deputetja demokrate Jorida Tabaku në rubrikën “Opinion” në News24 tha se shpresonte që ajo të mos pengohej. Tabaku tha se nuk është dënuar asnjëherë për shkak të shkeljes së rregullave në Kuvend, por gjithashtu shtoi se kolegët e saj demokratë janë dënuar me një nen që është rrëzuar nga Kushtetuesja.

“Edhe deputetë që nuk kanë marrë dënime nuk janë lejuar nga Garda. Është e papranueshme që Garda e Republikës të më prekë mua me dorë, që jam deputetja më aktive, dhe do krijojë një precedent që do më shqetësojë shumë, dhe do e ngre në të gjitha nivelet që kam mundësi si shqetësim nëse ndodh”, tha Tabaku.

Por Mimi Kodheli, deputete e PS-së, tha se duhej të kishte një mea culpa për të gjitha djegiet që kanë ndodhur.

“Në seancën e kaluar një deputet i PS i ka kërkuar kryetares së Kuvendit që të lejojë të hyjnë në sallë deputetët e padënuar. Nuk e di nëse do e kishin bërë deputetët e opozitës këtë gjë?”, tha Kodheli.

Debati

Tabaku: E kuptoni çfarë niveli kemi, e kuptoni se çfarë diskutohet që i kërkohet leje Elisës që të lejohet të hyjë deputeti në Kuvend?

Kodheli: E keni parë nëpër korridore se çfarë ndodh, se kush shtyn kë? Në korridoret e Kuvendit një deputet opozitar shtyn një Zonjë deputete dhe nuk kemi asnjë ndjesë nga zonjat deputete të PD-së.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb