Analisti Ergys Mërtiri, në një intervistë në rubrikën Opinion në News 24 komentoi mosbindjen civile të opozitës.
Mërtiri tha se ferri në Shqipëri është edhe për shkak të opozitës. Sipas Mërtirit, PD dhe Berisha po luftojnë për vendin e dytë në zgjedhjet e 2025, pasi e kanë të qartë që Ramën nuk e mundin dot.
Ergys Mërtiri: Unë mendoj se situata në Shqipëri nuk është aq keq sa ç’e bën opozita, por gjithsesi është keq. Ky ferr këtu është edhe nga qeveria, por edhe nga opozita. Edhe qeveria bën propagandë, duke vizituar një realitet që nuk ekziston. Europa e ka izoluar opozitën, për shkak se mban person non grata në krye. Kjo i jep dorë të lirë Ramës, që të mbajë vendin në këtë stanjacion që e mban.
Përdorimi i molotovëve është tregues i dobësisë së opozitës. Nëse populli vërtetë do i bindej opozitës, atëherë do ta kishte popullin me vete. Por, nuk e ka popullin me vete. Opozita i prish punë vetes me protestat. Shfaqja e të tilla skenave mban larg edhe votuesit gri. Këto pamje bëhen nga PD për të shtrënguar radhët, që të mbajë rreth vetes militantët. PD nuk po lufton për të mundur Ramën, por po lufton që të mbetet opozita. Berisha dhe PD po lufton për “medaljen e argjendtë”.
(Balkanweb)