Koordinatori Rajonal për Tiranën në PD Klevis Balliu, në një intervistë me Skype në News 24 u pyet nga moderatorja Ina Qirjo se çfarë pritet të bëjë nesër opozita në seancë plenare.
Balliu tha se opozita do të vazhdojë protestat. Sipas tij, opozitës i ka ngelur vetëm përballja me maxhorancën. “Gjithçka do ta shikoni nesër”, u shpreh ndër të tjera Balliu.
“Edi Rama nuk ka limit kushtetues. Si mund të luftohet me të dhe deputetët e qeverisë. Maxhoranca shkel Kushtetutën. Ne vetëm do përshkallëzojmë protestat, derisa të ketë drejtësi. Ku ndodh që në çdo vjedhje del vëllai i kryeministrit, në cilin vend në botë ndodh që kryeministri takon kartelin e Sinaloas. Gjithçka do ta shikoni nesër. Mosbindja civile do vazhdojë, sepse vetëm kjo mënyrë iu ka ngelur qytetarëve. Opozitës i ka ngelur vetëm përballja. 24 orë të jetë Rama pa pushtet, ai shkon në burg. Ne do shkojmë në zgjedhje, pavarësisht gjithçkaje. Opozita mund të vijë në pushtet vetëm me zgjedhje dhe ne do bëjmë gjithçka për qeveri teknike”, tha Balliu.
Në lidhje me hapjen e negociatave, Balliu u shpreh se proceset integruese të Shqipërisë në BE kanë nisur që kur PD ka qenë në pushtet. Më tej, Balliu theksoi se në BE nuk futesh me kriminelë, por duke ndërtuar shtet të së drejtës.
“PD ka liberalizuar vizat. DASH e thotë që qeveria shqiptare është e korruptuar. Nuk themi ne që Shqipëria është narko-shtet, por e thotë Këshilli i Europës. Eurostat foli për varfërinë, jo ne. Janë 34 kapituj për t’u hapur. Nuk futesh në Europë me krimin, pasi ne kemi parë parlamentarë vrasës e kriminelë. Kryeministri është kryetar i korrupsionit, nuk e lufton atë. Nesër në 11:00 do jemi te Bashkia e Tiranës, për të protestuar kundër pronarit faktik të Inceneratorit të kryeqytetit”, deklaroi Balliu.
(Balkanweb)