Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s u mblodhën në Bruksel për një takim dy-ditor për të diskutuar mbrojtjen dhe parandalimin, mbështetjen për Ukrainën dhe partneritetet globale, transmeton Anadolu.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte nënvizoi nevojën që aleatët të përshpejtojnë përpjekjet për t’u përballuar me kërcënimet në zhvillim, duke bërë thirrje për aftësi më të mëdha mbrojtëse, rritje të investimeve dhe koordinim të zgjeruar midis shteteve anëtare të aleancës.
Ai theksoi se këto masa janë thelbësore për të siguruar qëndrueshmërinë e NATO-s në të gjitha fushat. Ministrat pritet të miratojnë një nismë të re të NATO-s për përmirësimin e standardizimit, e cila synon të ulë kostot e prokurimit të mbrojtjes duke thjeshtuar proceset dhe duke zbatuar standarde uniforme.
Mbështetja e NATO-s për Ukrainën pritet të jetë në qendër të diskutimeve. Ministrat në mbrëmje do të takohen edhe me ministrin ukrainas të Mbrojtjes, Rustem Umerov, gjatë Këshillit NATO-Ukrainë, për të diskutuar zhvillimet më të fundit në fushën e betejës dhe për të adresuar nevojat më urgjente të Ukrainës.
NATO-ja po përgatitet të krijojë një qendër të re komanduese në Wiesbaden, Gjermani, e cila do të koordinojë ndihmën dhe trajnimet e sigurisë për Ukrainën. Përtej Ukrainës, takimi i ministrave të Mbrojtjes po fokusohet gjithashtu në temat tjera të sigurisë globale.
Për herë të parë, në diskutime po marrin pjesë ministrat e Mbrojtjes nga partnerët në rajonin e Indo-Paqësorit, si Australia, Japonia, Zelanda e Re dhe Koreja e Jugut.