Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të paraqesë “planin e tij të fitores” në Bashkimin Evropian dhe NATO, duke kërkuar një ftesë për anëtarësim në aleancë dhe një rritje të madhe të mbështetjes ushtarake për fushatën e Kievit kundër pushtimit të Rusisë.
Bëhet e ditur se plani i Zelenskyt përmban kërkesa që aleatët e Ukrainës kanë refuzuar deri më tani t’i plotësojnë, të tilla si një ftesë për t’u bashkuar me aleancën ushtarake të NATO-s të udhëhequr nga SHBA-ja dhe leje për të përdorur armë perëndimore për të goditur thellë brenda Rusisë.
Zelensky së fundmi e prezantoi planin në parlamentin e Ukrainës, ndërsa forcat e Moskës përparojnë në lindje dhe zgjedhjet presidenciale në SHBA hedhin pasiguri mbi të ardhmen e mbështetjes perëndimore.
Ndërsa tani, ai sjell planin, për të cilin tha se mund t’i japë fund luftës “jo më vonë se vitin e ardhshëm”, në një samit të liderëve të Bashkimit Evropian dhe në një takim të ministrave të mbrojtjes të NATO-s, të dy në Bruksel.
Lideri ukrainas tashmë ka paraqitur planin prej pesë pikash, për të cilin tha se ka tre anekse sekrete, shkruan Reuters.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte tha se plani përfaqëson “një sinjal të fortë” nga Zelensky, por shtoi: “Kjo nuk do të thotë se unë mbështes të gjithë planin. Kjo do të ishte paksa e vështirë, sepse ka shumë çështje”.
Gjithashtu, Rutte tha se të 32 anëtarët e NATO-s do të duhet të diskutojnë planin në detaje për ta kuptuar atë më mirë.