Foshnjat e porsalindura në inkubatorë janë në rrezik të vdekjes në Spitalin Kamal Adwan në mes të një sulmi të vazhdueshëm izraelit në pjesën veriore të Rripin të Gazës, raporton Anadolu.
“Një katastrofë e vërtetë humanitare po kërcënon jetën e foshnjave të porsalindura në njësinë neonatale në spital”, paralajmëroi Ministria e Shëndetësisë në Gaza.
Në deklaratë thuhet se inkubatorët e spitalit rrezikojnë të ndërpresin funksionimin për shkak të mungesës së madhe të karburantit dhe ilaçeve.
Ushtria izraelite më 6 tetor filloi ofensivën e saj të tretë në pjesën veriore të Gazës që nga fillimi i luftës së saj gjenocidale në Gaza vitin e kaluar, duke pretenduar se sulmi synon “të parandalojë Hamasin që të rifitojë fuqinë në zonë”.
Palestinezët, megjithatë, argumentojnë se Izraeli këtë herë synon të pushtojë pjesën veriore të Rripit të Gazës dhe të zhvendosë banorët e tij.
Sipas autoriteteve lokale, më shumë se 300 njerëz janë raportuar të vrarë në ofensivën e fundit mes një rrethimi të fortë të vendosur nga ushtria izraelite në zonë.
Izraeli ka vazhduar ofensivën brutale në Gaza pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor të vitit të kaluar, pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.
Sipas autoriteteve lokale shëndetësore, mbi 42.400 njerëz janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe mbi 99.100 janë plagosur.