Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha të enjten se mbështetja nga aleatët perëndimorë është thelbësore për “planin e tij të fitores” në luftën me Rusinë, ndërsa u prezantoi detajet e planit udhëheqësve të Bashkimit Evropian. Ai u tha gazetarëve se plani synon “të forcojë Ukrainën” dhe t’i hapë rrugën një zgjidhjeje diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit. “Unë mendoj se ky plan nuk varet nga vullneti rus, por vetëm nga vullneti i partnerëve tanë,” tha ai përpara se t’u drejtohej udhëheqësve evropianë në një takim të nivelit të lartë të BE-së.

Më pas, zoti Zelenskyy do të takohet me ministrat e mbrojtjes të NATO-s po në Bruksel. BE-ja është një mbështetëse kryesore e Ukrainës, e cila synon anëtarësimin në bllokun prej 27 anëtarësh. Zoti Zelenskyy e paraqiti planin me pesë pika në parlamentin e Ukrainës të mërkurën pa përfshirë elemente konfidencialë që u janë paraqitur privatisht aleatëve kryesorë, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Instituti për Studimet e Luftës në Uashington tha se presidenti rus Vladimir Putin po kërkon ta zvarrisë luftën dhe se është e mundur që “forcat ruse mund ta kapërcejnë mbështetjen perëndimore për Ukrainën dhe ta shkatërrojnë rezistencën ukrainase, duke fituar luftën përmes dobësimit të vazhdueshëm”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte ishte i rezervuar në përgjigjen e tij ndaj planit të mërkurën. Të enjten ai tha se Kievi duhet të jetë “absolutisht i sigurt se 32 aleatët janë të bashkuar për të bërë gjithçka të nevojshme për t’u siguruar që Ukraina të fitojë mbizotërojë, që (presidenti rus Vladimir) Putin të mos ta arrijë objektivin e tij.”

Zoti Rutte përsëriti se vendi i Ukrainës është në radhët e NATO-s, por ai nuk tha se kur mund të anëtarësohet. Zoti Zelenskyy këmbëngul se një ftesë për anëtarësim është thelbësore për “planin e tij të fitores” dhe do t’i garantonte vendit të tij mbrojtjen nga Rusia.

“Ukraina do të jetë anëtare e NATO-s në të ardhmen. Pyetja që shtrohet është ‘kur’. Kësaj nuk mund t’i përgjigjem tani”, tha Sekretari Rutte. Megjithatë, shtoi ai, (Presidenti) Putin duhet ta kuptojë se “ne jemi të përkushtuar nëse është e nevojshme për një kohë të gjatë. Dhe padyshim që duam të arrijmë në pikën ku (Presidenti) Zelenskyy dhe Ukraina, nga një pozitë e fortë, të jenë në gjendje të fillojnë bisedimet me Rusinë.”

Pikat kryesore të planit përfshijnë një ftesë për Ukrainën për t’u anëtarësuar në NATO dhe autorizimin për të përdorur raketa me rreze më të gjatë veprimi të dërguara nga Perëndimi, për të goditur objektivat ushtarake në thellësi të Rusisë, hapa që janë pritur me ngurrim nga aleatët e Kievit deri tani./Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: