Emisioni investigativ Vetting në News24 ka trajtuar sërish skandalin me rindërtimin, ky qytetarët, banesat e të cilëve janë shembur apo shpallur të pabanueshme nga tërmeti i 5 viteve më parë, ai i 26 nëntorit 2019, janë braktisur nga Bashkia e Durrësit dhe firmat që kanë fituar tenderat.

Në emision është trajtuar rasti i Franit, një prej familjarëve që ka kaluar në kurrizin e tij jo vetëm dëmet e tërmetit, por edhe të gjithë llojet e burokracive për rindërtimin, që tashmë i duket se po zgjat “sa një jetë”.

Frani, banor i pallatit 12 katësh që ndodhet përballë stacionit të trenit në Durrës në qendër të kompleksit “Jeda”, risjell në vëmendje të gjitha momentet terrorizuese të 26 nëntorit 2019 kur pallati u lëkund dhe pësoi dëme. Në letra u shënua “DS4”, por banorët thjesht dinë se nuk mund të jetonin më aty pasi 4 katet e para ishin krisur tërësisht.

“Nuk kam arritur të nxjerr as gjënë më të vogël nga banesa. Ishte shembur komplet kishte rënë brënda, me televizor, divan e çfarë kemi pasur mbetën atje”, rrëfen Frani.

Momentet e vështira që rrëfen Frani, risillen në vëmendje edhe nga banorët e tjerë të të njëtit pallat, të cilët e kanë të vështirë ta harrojnë mëngjesin e 26 Nëntorit

Në pallatin 12 katësh, nga kati i parë deri në të katërtin është shembur çdo gjë, ndërsa muret kanë zënë poshtë gjithçka, çdo mobilje e pajisje. Ndërsa nga kati i pestë e lartë, kishte mure të plasaritura, përfshi këtu edhe dyert e dritaret të plasaritura në anësore.

Që pas tërmetit në komplesi Jeda u kthe në një katrastrofë.

Jonida Cece, administratore e pallatit, shprehet se godina u klasifikua si dëmtim DS4 dhe të gjitha punimet do të bëheshin nga shteti dhe nuk do kishim kompensim financiar.

“Me aq shumë lekë që janë hedhur në këtë pallat, do ishte bërë nga fillimi. Unë dhe gjithë banorët e tjerë, nuk e dimë se ku kanë shkuar këto lekë”, shprehet ajo.

Por, edhe pse fondet për rindërtim kapin vlerën e 2.4 milonë eurove, riparimi i tij nuk është bërë plotësisht, duke detyruar disa prej banorëve t’i “plotësojnë vetë punimet e mbetura” për të mos mbetur edhe shumë kohë të tjera jashtë shtëpive të tyre.

Madje, kjo është bërë edhe më emergjente pasi Bashkia Durrës ka hequr edhe mbështetjen për qiratë. Por askush nuk u jep shpjegim banorëve se, ku përfunduan ato miliona që do dilnin për ta ribërë pallatin pa asnjë mangësi?

Banorët ankohen se ka patur neglizhenca të mëdha.

“Vetting” ngriti në emisionin e kaluar pikërisht problematikën që vinte nga firmat fituese me shumë pak punëtorë, të cilët më pas nuk gjenin as nënkotraktor për të përfunduar në kohë pallatet.

Teksa për punimet e papërfunduara banorët e pallatit 12 katësh kanë depozituar një padi në SPAK, ku kërkojnë të dinë fatin e fondeve të BE-së. Madje, banorët pretendojnë se ndërtimi nuk i është përmbajtur as projektit që është publikuar në fillim të punimeve.

“Goca shiti shtëpinë në Lezhë për të bërë shtëpinë tonë këtu, prindërve të saj. Të mbushet mëndja, 30 mijë euro kam investuar.  Jam detyruar të hedh suvatimin, madje të ribëj nga e para edhe ËC-në, pasi çdo punim ishte skandaloz”, shprehet Frani.

Të njëjtin shqetësim ngre edhe administratorja e pallatit.

“ Mua më ka shkuar rreth 10 mln lekë, po them gjërat bazike, mirë, instalime dhe pllaka. Firma nuk merrte përsipër riparimet, pasi i konsideronte të vogla, por për ne nuk ishin të vogla, patën kosto 10 milion lekë. Pastaj katet më poshtë kanë qenë zero, nuk kishin asnjë mur, i kanë bërë dyer e dritare vetë, i kanë bërë pllakat vetë. Hidrosanitaret i kanë vendosur vetë sepse firma nuk i kishte vendosur. Ose kishte vendosur një lavaman dhe e quante të përfunduar tualetin”, shprehet Cece.

Sipas informacioneve që ka në dispozicion emisioni “ Vetting”, kompanive fituese, që është bashkim i disa subjekteve, u janë dhënë mbi 2.4 milon euro për riparimin e këtij pallati, për ta dorëzuar të përfunduar. Por banorëve iu është dashur të harxhojnë nga paratë e tyre apo të marrin hua që të hyjnë në shtëpitë e premtuara nga qeveria pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.

“ Ore këtë pallat e kanë bërë njerëzit vetë, sepse nuk ishte dorëzuar as për 3-4 vite sikur e kanë nisur ata për ta bërë. Hajde pi raki, luaj domino dhe stop”, shprehet Frani.12

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb