Emisioni Vetting në News24 në emisionin e sotëm është ndalur në skandalin me ruindërtimin në Durrës, më konkretisht në pallatin 12 katësh, të cilin kompania që fitoi tenderin dhe përfitoi 2.5 mln euro për rikonstruksionin, dorëzoi apartamentet të pakolauduara dhe papërfunduar punimet. Kjo ka bërë që banorët të shpenzojnë miliona lekë për apartament për të përfunduar punimet.
Po cila është kompania e rindërtimit për të cilin SPAK ka nisur hetimet?
Kompania “Lis Konstruksion” (ish EURO-ALB) është themeluar në vitin 1999 nga Bujar Murati, i cili më vonë do ti shiste aksionet gruas së vet Doriana Murati, e cila në 2012 do ia dhuronte aksionet mbesës së bashkëshortit, Erilda Murati, e bija e Imer Muratit, pronar i një tjetër kompanie ndërtimi “Murati” shpk, që është e lidhur me “Lis konstruksion”.
Më pas në 2013, kjo e fundit do ia dhuronte aksionet Bujar Muratit, i cili do të rimerrte kontrollin e kompanisë për t’ia dhuruar vitin e kaluar kompaninë bashkëshortes, Doriana Murati.
Nga të dhënat e siguruara nga “Vetting” rezulton se në vitin 2013, kompania “Lis Konstruksion” (ish EURO-ALB) e Bujar Muratit do të fillonte procedurat e bashkimit nëpërmjet përthithjes me kompaninë “MURATI” shpk në pronësi të vëllait të vet, Imer Murati. Zakonisht këto bashkime ndodhin që kompanitë të forcohen më shumë nga aspekti financiar dhe i burimeve njerëzore, por një detaj i rëndësishëm zbulohet nga raporti i bashkimit të kompanive.
Sipas dokumenteve zyrtare të bashkimit, “MURATI” shpk ka përgjegjësi për kontratat e punës të siguruara nga “EURO-ALB”, sot “Lis konstruksion”.
Dhurimi i aksioneve dhe ndryshimi i emrit kanë ndodhur në periudhën mars-prill 2023, dy vite pas operacionit të Prokurisë së Posaçme në 2021, ku u arrestua ish kryebashkiaku i Lushnjes Fatos Tushe pasi ky i fundit kishte favorizuar kompaninë “Lis Konstruksion” (Ish EURO-ALB) për një tender të akorduar nga Bashkia e Lushnjes.
Në rastin konkret bëhej fjalë për tenderin e kanalit të ujit, me vlerë 24 milionë lekë, ku së bashku me ish kryebashkiakun u arrestua edhe Murati nën akuzë për fallsifikim dokumentesh e kryer në bashkëpunim. Nga informacionet e siguruara nga SPAK, problemi kishte filluar me ankesat që kishin bërë kompanitë e tjera garuese, duke sjellë edhe shqetësimin e ish kryebashkiakut Tushe, informacione që zbulohen nga përgjimet e Prokurorisë.
Por Bujar Murati nuk është një emër i panjohur për drejtësinë dhe fushën e prokurimeve publike. Në voting 2009, Murati ka qenë Drejtor i Përgjithshëm i Prokurimeve Publike në Ministrinë e Brendshme, periudhë në të cilën u arrestua për cështjen e tenderit të uniformave të policisë. Sipas akuzave të ngritura asokohe nga prokuroria dhe policia, biznesmenët e përfshirë në këtë procedurë prokurimesh do t’u jepnin një pjesë të fitimit zyrtarëve publikë për ti shpallur fitues të tenderit.
Nga informacionet e siguruara nga “Vetting”, mësohet se në janar 2014, Murati depozitoi një padi civile në Gjykatën e Tiranës, duke kërkuar dëmshpërblim për ditët e burgut.
“Murati” fitoi mbi 50 tendera
Në 5 vitet e fundit, kompania e “Lis konstruksion” (EURO-ALB) e vetme, por edhe si bashkim kompanish me “MURATI” shpk, është shpallur fituese e mbi 50 tenderave me vlerë dhjetra miliona euro. Këto tendera janë organizuar kryesisht nga Bashkitë Cërrik, Gramsh, Rrogozhinë, Kamëz, Sarandë, Berat, Shijak, Vorë, Krujë dhe Maliq, Përrenjas, Bulqizë.
Një pjesë e këtyre tenderave rezultojnë pa garë ose kompanitë konkurruese janë skualifikuar nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave. Kjo ka bërë që këto tendera të shënohen me flamur të kuq nga Open Data Albania.
Nga informacionet e siguruara nga bilancet e të dyja kompanive,” Lis Konstruksion” dhe “MURATI” shpk, rezulton se ato kanë kryer shërbime për komunat dhe drejtoritë e përgjithshme jo vetëm në 11 vitet e fundit por edhe para ardhjes së Partisë Socialiste në pushtet.
Të shqetësuar për këtë proces të papërfunduar të punimeve kanë qenë edhe ekspertët që vëzhgojnë tenderimet dhe lëvrimet e fondeve. Drejtuesja e OPEN DATA, Aranita Brahaj, e sheh si të dyshimtë edhe tërheqjen e firmave ndërkombëtare në këtë proces, edhe pse fillimisht, pas marrjes së fondeve nga BE, u bë thirrje.
“Në propogandën qeveritare janë shpërndarë shtëpi e janë dhënë çelsa banesash por cilësia e punimeve lë për të dëshiruar duke paramenduar se janë fondet e BE dhe cilësia as nuk duhej të diskutohej. Por kjo është një ndër arsyhet se pse asnjë firmë e huaj nuk arritit të garonte për të dhënë në fund celsat e një banese të fortë dhe të arrinte të duronte lëkundjet e mundëshme të tërmetit”, shprehet Brahaj.