Këshilli bashkiak i Durrësit ka devijuar në vitin 2022 një pjesë së fondit të parashikuar për rindërtim. Bëhet fjalë për shkollën “Met Hasa” në Porto Romano, ku një shumë prej 36 milionë lekësh u spostua për shlyerjen e borxheve të institucionit vendor ndaj OSHEE.

Kyetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako përcaktoi shkollat që do t’i nënshtroheshin rikonstruksionit dhe ato që do të ndërtoheshin të reja.

“Investimet në arsim do të jenë ndërtimi i godinës së re të shkollës 9-vjeçare “Met Hasa”, rikonstruksioni i plotë i QKF Durrës, ndërtimi i një shkolle të re ku do të bashkohen shkollat 9-vjeçare “Vasil Ziu” dhe “Nënë Tereza”, rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare “Demokracia”, rikonstruksioni i shkollës “Besnik Hidri” Shënavlash si dhe rikonstruksioni i shkollës “Don Nikollë Kaçorri”, ndërtimi i kopshtit në oborrin e shkollës “Isuf Hoti” në bashkëfinancim me PNUD për programin e rindërtimit”,  deklaroi Sako.

Edhe në faqen zyrtare të Bashkisë Durrës, në zërin e investimeve për vitin kalendarik 2022 është listuar ndërtimi i shkollës 9-vjeçare “Met Hasa”.

Ky objekt arsimor ndodhet në lagjen numër 15 të qytetit bregdetar, në zonën e njohur si Porto Romano. Shkolla nuk rezulton në listën e ndërtesave që kanë pësuar dëmtime nga tërmeti i fundnëntorit 2019. Në të njëjtën kohë, nuk është e listuar as në godinat që janë në proces rikonstruksioni ose rindërtimi në Bashkinë Durrës.

Por më 6 shtator 2022, thuajse 10 muaj pas miratimit të buxhetit, këshilli bashkiak Durrës miratoi një vendim, (pika 4 e rendit të ditës), i cili kishte të bënte me një fond prej 81 milionë lekësh, që do t’i akordohej OSHEE, pasi kjo njësi vendore kishte rezultuar debitore, kundrejt institucionit në fjalë.

Në relacionin e hartuar, autoriteti vendor përcaktonte se nga do të sigurohej ky fond debie, duke cënuar dy investimet e parashikuara, njëri prej të cilëve me objekt: ndërtimin e shkollës 9-vjeçare “Met Hasa”.

“Pra fondi prej 36.000.000 lekë i planifikuar për financimin e projektit në vitin 2022 do të mbetet i papërdorur. Në këto kushte kërkojmë që vlera prej 36.000.000 lekë të merret nga ky fond dhe të alokohet për shlyerjen e detyrimeve kundrejt OSHEE”,  bëhet me dije në relacion

Sipas shkresës zyrtare, 36 milionë lekë janë marrë nga fondi i ndërtimit të shkollës, pa përcaktuar afate në lidhje me zbatimin e këtij projekti, i cili u bë publik në mbledhjen e këshillit bashkiak në dhjetor të një viti më parë, nga kryebashkiakja, Emiriana Sako.

Fluturojnë kostot e rindërtimit

Deri në mes të vitit 2023, sipas të paraqitjes në interpelancë e Ministres së MFE kostoja totale e procesit të Rindërtimit është 117.6 miliardë lekë, fonde të miratuara me vendime të Këshillit të Ministrave, për kompensime, projekte apo investime. Kjo shumë është financuar, si nëpërmjet shkurtimit të shpenzimeve/investimeve të tjera, po ashtu edhe nga huamarrja.

Një kosto të konsiderueshme financiare, e mbuluar tërësisht nga buxheti i shtetit, ka sjellë edhe politika e Subvencionimit të Qerasë për strehimin e familjeve të dëmtuara. Në vitin 2020, numri i familjeve përfituese nga politikën e strehimit, pra të subvencionimit të qirasë, ishte rreth 14,100, ndërsa sot janë 8,400 familje që marrin bonus qiraje me një vlerë mesatare prej 20 mijë lekësh në muaj.

E gjithë kjo shumë që është alokuar nga buxheti në formën e investimeve dhe shpenzimeve për mbulim të kostove për qeramarrje dhe shpenzime të tjera operative është afërsisht sa 92% e investimeve totale të vendit per vitin 2023 apo sa 25% e gjithë investimeve kapitale të buxhetit të shtetit për vitet 2020 – 2023.

Nga ana tjetër në daljet publike Sako komentoi procesin e rindërtimit nga tërmeti, duke deklaruar se për procesin e gabimeve është marrë praktika italiane.

“Ne aktualisht po punojmë me shembjen e godinave të dëmtuara. Unë kam vizituar shumë objekte në qytetin e Durrësit, janë bërë rreth 90 mijë konstatime dhe 7700 kanë dalë objekte me probleme. Këto dëme nuk janë të gjitha serioze. Ne kemi marrë praktikën italiane për vlerësimin e gabimeve,” tha Sako.

Por Sako nuk ka dhënë asnjë shpjegim se si ka mundësi që nga 9 lote, vetëm loti 4 nuk ka gabime në formulime gabim apo me shkelje.

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb