Askush nuk e kishte menduar para fillimit të sezonit se një derbi i kryeqytetit do të luhet në Vlorë. Tirana – Dinamo, që është dhe ndeshja më e trofeshme në futbollin shqiptar përsa i përket titujve kampionë, duhet të zhvillohet në qytetin bregdetar.

Ilir Daja kishte shumë vite pa e provuar “shijen” e pankinës blu. Rikthimi deri tani është i suksesshëm sepse rezultatet pozitive e kanë ngjitur Dinamon në zonën “Final Four”.

Para sfidës mund të thuhet se Tirana i sjell kujtime mikse strategut të Superiores. Kjo pasi ishin pikërisht bardheblutë, që i kushtuan largimin rreth tre vite më parë nga Partizani. Kujtojmë derbin e humbur në sekondat e fundit me rezultatin 1 me 2, ndërsa ishte dhjetori i vitit 2021.

Sigurisht duhet pranuar se Tirana sjell kujtime të këqija vetëm përsa i përket Superiores. Pas largimit nga Partizani, pasoi një periudhë e artë në karrierën e Dajës ku firmosi me Ballkanin dhe shkroi historinë në futbollin e Kosovës.

Në anën tjetër Ilir Daja ka qenë dhe në krye të Tiranës. Madje në sezonin më të errët të “bardhebluve” ku ranë nga kategoria për herë të parë në histori. Ilir Daja asokohe drejtonte ekipin vetëm në fazën e parë duke e pozicionuar te vendi i katërt.

Tashmë gjithçka do i mbetet fushës së lojës. Stadiumi “Flamurtari” i Vlorës do ta presë këtë takim me peshë ditën e shtunë, më 19 tetor.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb