Të dielën në orën 17:00 në stadiumin “Elbasan Arena” do të kthehet të luhet pas plot nëntë vitesh një ndeshje mes Elbasanit dhe Partizanit, skuadrave të dy prej qyteteve më me traditë dhe simpati për futbollin. Kjo sfidë do të ketë një “luftë” të fortë në tribuna, por diçka e tillë pritet edhe në çdo metër të fushës së blertë.
MBROJTJET MË TË FORTA Të dielën zbarkojnë dy ekipet me mbrojtjet më të forta. Skuadra e Bordin duket se është “italianizuar” nga trajneri dhe ka treguar një disiplinë të admirueshme në difensivë, duke pësuar vetëm katër gola në tetë javët e para. Kjo statistikë i bën elbasanasit të jenë mbrojtja më e mirë e momentit në Kategorinë Superiore, pavarësisht se mungesat dhe dëmtimet kanë qenë të shumta. Kujtojmë këtu lëndimin e rëndë të Azemoviç, i ardhur si një nga afrimet më të bujshme të verës, me premisat për të qenë lideri i mbrojtjes.
Pavarësisht kësaj, verdheblutë ia kanë dalë me sukses të mbajnë portën e pastër në katër ndeshje, kundër Teutës, Laçit, Egnatias dhe Vllaznisë. Gjithsesi, nuk qëndron shumë mbrapa Partizani, që është mbrojtja e dytë më e mirë në këto tetë javë. Skuadra e trajnerit Veselinoviç ka pësuar vetëm pesë gola, teksa për tu shënuar është fakti se nuk e provojnë shijen e golit prej tri ndeshjesh radhazi.
Në total të kuqtë e kanë mbajtur portën e pastër aq sa Elbasani, në katër nga tetë ndeshje. Teuta, Tirana, Egnatia dhe Bylisi nuk kanë arritur t’i shënojnë dot “Demave”. Të dielën është edhe një betejë mes Qirkos dhe Abalorës, dy portierët që janë paraqitur më mirë në këtë start të sezonit.
SULME ME PROBLEME Nëse mbrojtjet i kanë “blind”, nuk mund të themi diçka të tillë për fazën sulmuese për Elbasanin dhe Partizanin. Ky i fundit ka shënuar dhjetë gola në tetë javë, duke u renditur si sulmi i katërt më i mirë. Te të kuqtë në këtë sezon duket se mungon një bomber që shënon rregullisht, teksa golat në skuadër kanë një shpërndarje të madhe.
Akoma më e vështirë është situata për sulmin te Elbasani. Verdheblutë, që renditen të pestët me 13 pikë, dy më pak sesa kryesuesit e Partizanit, kanë shënuar vetëm 8 gola dhe defekti më i madh i tyre duket se është shpërdorimi i madh i rasteve të shënimit. Mbetet të shihet se çfarë skuadrat kanë korrigjuar në betejën e radhës mes tyre, më e forta e javës së nëntë.