Nënkryetari i PD-së, njëherësh drejtues politik i Qarkut Lezhë, Agron Gjekmarkaj këtë të enjte nga lagjja “Skanderbeg” denoncoi ndotjen që vjen përmes fabrikës së përpunimit të mbetjeve shtazore.
Gjekmarkaj u shpreh se nga aktiviteti i kësaj fabrike ndotja e ujit dhe e ajrit në zonë është në nivele tepër të larta, duke kërkuar mbylljen e fabrikës.
“Erdha për t’ju përgjigjur shqetësimit të hershëm që kanë banorët e kësaj lagjeje, për një fabrikë që ka cenuar jetën dhe shëndetin e banorëve. Ndodhen në terror prej shumë vitesh. Letrat mund të jenë në rregull por nuk ka letër, nuk ka vulë që prevalon mbi cilësinë e jetës“, tha ai.
Agron Gjekmarkaj i drejtoi apel ministres Kumbaro të marrë masa të menjëhershme, pasi jeta e banorëve po vihet në rrezik.
“I bëj thirrje ministres Kumbaro, kryetarit të Bashkisë zotit Pjerin Ndreu, pronarit të fabrikës Alban Zusi që është edhe banor i këtij qyteti, të paktën këtu ka qenë dikur, si prind, si bir i dikujt se këtu jetojnë fëmijë, burra, gra, pleq që flenë dhe zgjohen me terrorin e një ere të ndyrë që iu prish jetën, është e padrejtë. Nuk jemi kundër kapitalizmit, nuk jemi kundër fitimit, por një fabrikë e tillë nuk mund të ekzistojë në një zonë të banuar“, theksoi demokrati.
Ndër të tjera, Gjekmarkaj, u shpreh se do të vijojnë denoncimet edhe për shkeljet që ndodhin në zonat bregdetare.
(Balkanweb)