FIER

Ndërron jetë 80-vjecari Namik Rustemi, i cili disa ditë me parë është dhunuar fizikisht së bashku me bashkëshorten e tij në fshatin Povelçë të Fierit. Policia ka arrestuar si autor të ngjarjes shtetasin Ilir Nukaj.

Si pasojë e dhunës brutale, 80-vjeçari ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin e Fierit, por nuk ka mundur t’i mbijetojë dëmtimeve dhe ka ndërruar jetë sot në Spitalin Rajonal të Fierit.

Sipas familjarëve, autori është paraqitur në dyqanin e të moshuarve për të blerë alkool, ndërsa 80-vjeçari nuk ka pranuar t’ia shesë, pasi njihej si person problematik.

Për News24, nusja e djalit të çiftit të moshuar, ka deklaruar se çifti nuk kishte asnjë konflikt të mëparshëm me autorin, ndërsa ka shtuar se në momentin e ngjarjes, 47-vjeçari ka qenë në gjendje të dehur.

Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Povelçë, në ambientet e jashtme të dyqanit ushqimor në pronësi të viktimës. Nukaj për motive të dobëta ka goditur me grushta në pjesën e kokës 80-vjeçarin dhe bashkëshorten e tij, shtetasen A.Rustemi, 77 vjeçe.

I moshuari u shtrua në spital me dëmtime të shumta dhe i intubuar, ndërsa bashkëshortja e tij pasi ka marrë mjekim nëspital është larguar drejt banesës.

Për këtë ngjarje materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, ku për autorin është dhënë dhe masa e sigurisë burg pa afat.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb