Vdekja e liderit të grupit militant palestinez Hamas, Yahya Sinwar, nga një sulm izraelit të enjten, ka nxitur thirrje për një armëpushim në Rripin e Gazës. Sinwar, i cilësuar si arkitekti i sulmit të 7 tetorit 2023 që e nxiti luftën në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit, u vra në jug të Gazës nga një sulm izraelit. Hamasi është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha për gazetarë të enjten vonë pasi mbërriti në Gjermani se tani është koha për një armëpushim në Gazë dhe për “t’u siguruar se do të ecim në drejtimin e duhur, në mënyrë që të jemi në gjendje t’i përmirësojmë gjërat për tërë botën”.
Biden theksoi, pas një bisede telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, se ka ardhur “koha që lufta të përfundojë dhe t’i kthejmë pengjet në shtëpitë e veta. Jemi të gatshëm ta bëjmë këtë”.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, bënë thirrje përmes komunikatave që Hamasi t’i lirojë të gjitha pengjet. Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, tha se shpreson se vdekja e Sinwarit do të sjellë armëpushim në Gazë.
Derisa Izraeli e ka konfirmuar vrasjen e Sinwarit, Hamasi ende nuk ka komentuar. Sinwar ishte zgjedhur udhëheqës i grupit pas vrasjes së liderit të atëhershëm, Ismael Haniyehut, në korrik, në një sulm të dyshuar izraelit në kryeqytetin iranian, Teheran.
Para se të bëhej lider i Hamasit, Sinwar ishte shef i krahut të armatosur të grupit. Gjatë sulmit të 7 tetorit 2023, Hamasi vrau rreth 1.200 njerëz – kryesisht civilë – në jug të Izraelit dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë. Ky sulm e nxiti luftën izraelite në Gazë, ku për pasojë janë vrarë më shumë se 42.000 palestinezë.
Ndërkohë, Biden theksoi se sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të udhëtojë për në Lindje të Mesme në ditët në vijim, për të bërë përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve dhe për armëpushim në Gazë.Megjithatë, Netanyahu ka thënë se Izraeli do ta kontrollojë Gazën sa të jetë e nevojshme për t’i siguruar që Hamasi të mos riarmatoset.
“Hamasi nuk do ta sundojë më Gazën. Sot nis dita pas Hamasit”, tha Netanyahu, duke shtuar se Izraeli do ta vazhdojë luftën derisa të lirohen të gjitha pengjet. “Lufta jonë nuk ka mbaruar ende”, shtoi ai./REL