Vllaznia ka mbyllur përgatitjet e fundit përpara sfidës së vështirë, që do të kenë shkodranët këtë fundjavë, teksa do të luajnë në transfertë ndaj Laçit.

Tomas Brdariç në konferencën e zakonshme për shtyp, e nisi duke treguar problemet që vuan skuadra për shkak dëmtimi apo pezullimi nga kartonët.

Brdariç cek dhe kushtet e stërvitjes, teksa ndryshe nga herët e tjera nuk është bërë stërvitje në fushë me bar natyral. Pavarësisht të gjithave, timoneri “kuqeblu” tregon se objektivi në transfertën e Laçit janë vetëm 3 pikët. Më poshtë i’u sjellim dhe konferencën e plotë nga trajneri i Vllaznisë.

“Nesër sfidë e mirë për t’i treguar tifozëve tonë ku do rrijmë. Po vuajmë me shumë lojtarë që mungojnë, por objektivi im nuk është të ankohem, por t’i jap mundësinë lojtarëve që të luajnë. Tani është momenti për disa lojtarë që të tregojnë pse janë pjesë e Vllaznisë.

Për këtë javë nuk ishim të vendosur kush do të luajë, po nga sot do të jemi më të vendosur për nesër. Kemi 24 orë kohë për të marrë të gjitha masat, që të marrim 3 pikë me Laçin.

Shumë i lumtur që Gruda është rikthyer. Për momentin jemi të përqëndruar te lojtarët që do luajnë në formacion, nuk e di si do shkojë. Ai ka qëndruar në kontakt me ekipin dhe jam shumë i lumtur që është rikthyer në stërvitje.

Duhet të jemi të fokusuar te loja jonë. Do jetë sfidë ndryshe, trajner i ri që do implementojë gjëra të reja në lojë. Nesër duam t’i bëjmë dhuratë tifozëve 3 pikë, e dimë që jemi pa tifozë po jemi mësuar gjatë karantinës që kemi luajtur pa ato.

Objektivi për nesër është të marrim vetëm 3 pikë. Ne jemi ekip në rritje, kushtet nuk kanë qenë mirë, nuk kemi bërë stërvitje në fushë me bar po në fushë që nuk lëviz shumë topi, si “Reshit Rusi”, po shpresojmë nesër të japim maksimumin.

Nesër nuk do të ndryshojmë ndonjë gjë nga ndeshjet e fundit, vetëm lojtarët ndonjë ndryshe për shkak të mungesave. Ne nuk varemi vetëm  nga 11 lojtarë, jemi ekip që duam të rritemi çdo ditë dhe puna është t’i rrijmë sa më afër lojtarëve për t’i rritur.

Kam thënë në të kaluarën se Delaj ka talent, sidomos pas paraqitjeve të tij dhe jam i lumtur që ekipi ka arritur firmosjen se na duhet dhe për të ardhmen”, u shpreh Brdariç.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: