Të përndjekurit politikë, që nisën një grevë urie për të drejtat e tyre, kanë ndërprerë grevën e urisë sot në ditën e tetë.
Një nga të përndjekurit tha se nuk kanë mbështetje nga qeveria, duke shtuar se kanë vënë re se edhe opozita është mospërfillëse ndaj tyre. Ai shtoi se i vjen keq që në një vend si Shqipëria nuk plotësohen disa kushte bazë.
Ish i dënuar politik: Sot janë 8 ditë që jemi në grevë urie. Pamë që mbështetje nuk kishim, asnjë kontakt nga qeveria, asnjë kontakt nga ana e opozitës, as shoqëria civile, as nga shoqatat që gëlltisin nga një lugë çorbë prej pushtetarëve. Nuk mund të rezistojmë më, e filluam 7 veta, dy u shtruan në spitale, i treti është me gjilpëra. Qeveria nuk përgjigjet për të drejtat legjitime që na takojnë. Opozita dje bëri gjithë atë rrëmujë dhe nuk kaloi dje këtej. Ndjehem keq kur nuk ke vëmendje. Kemi hyrë në grevë urie për një të drejtë legjitime.
Gazetari: Ju ka habitur mosreagimi i qeverisë shqiptare?
Ish i përndjekuri: Ne jemi vend i çudirave. Ne erdhëm këtu për problemet ekonomike. Asnjë lloj përkrahje. Mirë të burgosurit që janë mirë, por të tjerët pse nuk vijnë? Shqipëria sot është e patronazhistëve dhe qeveritarëve, nuk është për fukarain.
Ish i përndjekur tjetër: Na kanë marrë edhe godinën. Ne kemi frymë, ne rezistojmë, në këmbë do na kenë me lloj-lloj formash. Ne po e lëmë se nuk kemi mbështetje, as nga partia aktuale në pushtet, as nga partitë opozitare. Duam të mbajmë frymën që të jemi në këmbë, ta harrojmë se do të vdesim.
Ish i përndjekuri: Unë isha në spital dhe dola të mos i lë shokët vetëm. Ne do e kërkojmë më tepër këtë betejë. Këto janë këlyshët e Enver Hoxhës, akoma ekziston diktatura në vendin tonë. Kërkesat tona janë legjitime. Nuk është puna se po na e jep Edi Rama, ai s’ka pse t’i fshehë problemet tona, na takojnë me ligj. Pse të mos na i japin të drejtat tona? Ne do çohemi në greva, forma të tjera. Dje në Parlament i pamë, janë shpërfillës si qeveritarët, si opozita. Jemi të indinjuar që nuk na përfillin. Por ne do vazhdojmë në mënyra të tjera. Unë nuk do vdes, do rrojmë vetëm për inat të atyre.
(Balkanweb)