TIRANË

Kreu i PD-së Sali Berisha tha sot se Shqipëria është një diktaturë krimi, droge dhe vjedhje. Duke iu referuar përplasjeve në Parlament, Berisha tha se është një mobokraci dhe duke iu drejtuar atyre që bëjnë teorizimin e diktaturës demokratike, u tha se janë mjerimi njerëzor.

“Se nuk ka diktaturë demokratike. Se tipari më kardinal i një diktature, u them atyre mjeranëve që nuk u mjafton një jetë për t’u bërë njerëz, është të gjitha pushtetet në duart e një njeriu. Ai që dyshon sot se kjo nuk është e vërtetë në Shqipëri, ai është jashtë këtij realiteti në variantin më të pakët, ose pastaj i decelebruar nga paratë e krimit që e ushqen qeveria. Unë ndjek me interes, por ne sot pra, çfarë janë veprimet e djeshme? Veprimet e djeshme janë tipike të një diktaturë. Dhe unë dëgjova opinionistë të krahut qeveritar se këto kanë ndodhur, nuk kanë ndodhur kurrë, u them unë atyre, që policia të hyjë në parlament. Nuk ka ndodhur kurrë. Por mos shfrytëzoni mikrofonat për të mashtruar publikun”, tha Berisha.

Ai theksoi se ka një ligj dhe një Kushtetutë, por ky regjim nuk ka as ligj dhe as Kushtetutë.
“Spirogjoka urdhëronte gardistë pa ligj që të nxirnin me forcë deputeten e PD. Pse? Sepse hodhe helme toksike, thoshte Spirogjoka, në një kohë kur ato ishin substanca parfumike. Sjellja jashtë, thirrja nga deshendenti i kryexhelatit të gjithë kohërave, Enver Hoxha, bastardi Ervin Hoxha, që filloi ta bënte Hoxhaj njëherë, edhe ai është me dy-tre mbiemra, por ato do të vijnë më vonë…
Pra, fut RENEA-an, në të cilën dihet që ka kriminelë, trafikantë dhe një prej tyre ishte ai i tregoi revolen deputetit të PD.
Unë e përgëzoj deputetin Luan Baçi për përgjigjen që i dha dhe ftoj çdo qytetar t’u japë këtyre banditëve përgjigjen që meritojnë.
Pra, ishte, po ta marrësh, po këta nuk kanë as ligj dhe as Kushtetutë, se ato ishin akte puçiste”, deklaroi Berisha.

Sipas tij, nuk mund të fusësh në territorin e parlamentit, pa vendim të parlamentit, forca të tjera përveç gardës së republikës.
“Duhet të shpallësh gjendje të jashtëzakonshme që të angazhosh forca të tjera në parlament.
Ndaj, këto komente kam unë, por përfitoj nga rasti t’i përshëndes, t’i përgëzoj deputetët guximtarë, të cilët qëndruan të pamposhtur si përfaqësues të popullit opozitar dje brenda sallës dhe jashtë sallës.
Garantoj se mosbindja civile do t’u japë përgjigjen më të merituar këtyre akteve kriminale antikushtetuese ndaj opozitës”, tha Berisha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: