Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj dy kompanive kineze dhe një kompanie ruse për përfshirjen e tyre në prodhimin dhe dërgimin e dronëve që Rusia po përdor në luftën e saj kundër Ukrainës.

Kompanitë kineze që janë sanksionuar nga Departamenti amerikan i Thesarit janë Xiamen Limbach Aircraft Engine Company dhe Redlepus Vector Industry Shenzhen. Xiamen Limbach Aircraft Engine Company prodhon motorët për dronët Garpiya të Rusisë, ndërsa Redlepus Vector Industry Shenzhen është e angazhuar në dërgimin e dronëve sulmues.

Një shtetas rus dhe një kompani ruse lidhur me këto dy kompani kineze gjithashtu janë sanksionuar. Artem Yamshchikov, drejtor i përgjithshëm dhe pronar i TSK Vektor, shërben si ndërmjetës për një kompani tjetër ruse dhe furnizuesit kinezë që ishin sanksionuar më parë për projektin e dronëve Garpiya.

Departamenti amerikan i Thesarit theksoi se këto sanksione janë të para që SHBA-ja ka vendosur ndaj entiteteve kineze për prodhimin e sistemeve të armëve në bashkëpunim me kompanitë ruse. Sanksionet e mëparshme kishin shënjestruar kompani kineze që ofronin komponentë kritikë për industrinë ushtarake ruse.

“Rusia po varet gjithnjë e më shumë nga ekspertiza e profesionistëve të huaj dhe nga importi i teknologjive të sofistikuara për të mbajtur programin e saj të armëve dhe për të avancuar fushatën e saj ushtarake ndaj Ukrainës,” tha Bradley T. Smith, ushtruesi i detyrës së nënsekretarit të Thesarit për Terrorizëm dhe Inteligjencë Financiare.

Droni Garpiya ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturën kritike dhe viktima gjatë luftës në Ukrainë. Ai është dizajnuar dhe zhvilluar nga ekspertë kinezë dhe prodhohet në fabrikat në Kinë, në bashkëpunim me kompanitë ruse të mbrojtjes, para se të transferohet në Rusi për përdorim në luftë.

Sanksionet gjithashtu përfshijnë ngrirjen e aseteve të individëve dhe kompanive në juridiksionin amerikan.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: