Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, nga data 23 deri në 26 tetor, do të zhvillojë një tur në Ballkanin Perëndimor për të shprehur përkushtimin e saj dhe të komisionit për angazhim në afrimin e rajonit drejt Bashkimit Evropian.

Vizita e von der Leyen nis me Shqipërinë më 23 tetor. Burime zyrtare bëjnë me dije se në këtë datë, Presidentja Ursula von der Leyen do të takohet me kryeministrin Edi Rama. Gjithashtu ajo do të mbajë një fjalim në ceremoninë e inaugurimit të kampusit të Kolegjit të Evropës në Tiranë.

Në datën 24 tetor, Presidentja Ursula von der Leyen do të takohet me Presidentin Bajram Begaj, duke mbyllur vizitën në Shqipëri për të udhëtuar më pas në Maqedoninë e Veriut. Atje, von der Leyen do të takohet me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe Presidenten Gordana Siljanovska-Davkova.

Në Bosnje dhe Hercegovinë, vizitë që nis më 24 tetor, Presidentja e Komisionit Europian do të vizitojë zonat e prekura nga përmbytjet. Presidentja Ursula von der Leye gjithashtu do të takohet me Presidencën e Bosnjë-Hercegovinës, Kryetaret e Këshillit të Ministrave Borjana Krišto.

Në Serbi, më 25 tetor, Ursula von der Leyen do të takohet me presidentin Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin Millosh Vuçeviç.

Presidentja Ursula von der Leyen mbyll turin e vizitës në Kosovë dhe Malin e Zi në 26 tetor. Në Kosovë, ajo do të takohet me Presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Ndërsa në Malin e Zi, von der Leyen do të takohet me Presidentin Jakov Milatoviç dhe kryeministrin Milojko Spajiq.

Von der Leyen, e cila në verë u rizgjodh për një mandat të ri pesëvjeçar, ka paralajmëruar se procesin e zgjerimit e ka ndër prioritetet kryesore dhe për këtë e ka caktuar një komisionare, e cila do të merret vetëm me zgjerimin e bllokut.

Sipas paralajmërimeve nga KE-ja, gjatë vizitës në rajon Von der Leyen do të përqendrohet më së shumti në ndihmën që BE-ja po u jep vendeve të rajonit për përshpejtimin e reformave dhe përgatitjeve për përparim më të shpejtë në procesin e integrimeve evropiane.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: