Tirana thyen një tjetër rekord. Deri në 1 dhjetor skuadra bardheblu nuk do të luajë asnjë ndeshje në shtëpi, duke çuar në 13 numrin e takimeve që këto javë do t’i zhvillojë si udhëtuese. Sipas planeve në klub, por edhe kalendarit të FSHF-së, Tirana nga Dinamo, e deri te Partizani në derbi, ekipi i Shkëmbit duhet të luante katër ndeshje në shtëpi.
Asnjë prej tyre nuk do ta zhvillojë si pritëse, pasi nuk ka stadium. Madje, ndonëse ka tre takime rresh në shtëpi, faktori fushë nuk do t’i vlejë, pasi do të udhëtojë mes Durrësit dhe Elbasanit si “çifuti në shkretëtirë”. Shkurt, deri në 1 dhjetori 2024 kur skuadra do të jetë pritësja e derbit me Partizanin, tifozët nuk do të kenë mundësi të shohin bardheblutë në kryeqytet.
Me një llogaritje të vogël, Tirana nga java e parë deri në sfidën me të kuqtë ka luajtur dhe do të luajë gjithsej, 15 takime. Nga këto përballje, vetëm dy lojë i ka luajtur para tifozëve të saj dhe 13 të tjera jashtë Tiranës. Një skandal më vete. Tirana këto dy faza të para, thjesht po luan si një ekip, të cilin i janë dënuar tifozët.
Këta të fundit, madje kanë reaguar të pakënaqur, duke akuzuar si klubin dhe FSHF-në që po bën të pamundurën të largojë përkrahësit nga shkallët e stadiumit, e duke i kthyer impiantet në birrari.
“Teksa klubi zhytet çdo ditë e më shumë në amatorizëm, stadiumet funksionojnë si birrari e kafene, F$HF vendos stadiumin e ndeshjes së radhës për Tiranën”, shkruanin dje “Tirona Fanatics”. Akuzë e fortë për organizatorët e lojës së futbollistit, por kanë të drejtë. Asnjë skuadër që ka stadium nuk luan në 15 javë, tre prej tyre si udhëtuese dhe vetëm dy si pritëse.
VLORA – Me “Selman Stërmasin” e amortizuar, Tirana e ka parë veten t’i mbyllen të gjitha dyert e stadiumeve të tjera, ndonëse vetë ka qenë bujare me çdo klub. Bardheblutë kanë kërkuar “Air Albania”-n, por zyrtarisht nga FSHF-ja i është konfirmuar se fusha është në gjendje të keqe dhe do të mbillet, për të qenë gati për takimet e nëntorit të ekipit kombëtar.
Tiranës i është kyçur edhe “Elbasan Arena”, me argumentin se është mbjellë fusha. E njëjta histori si në Durrës dhe Korçë. Jo ka thënë edhe Laçi. Tiranës, në këto kushte i mbeteshin opsione si Pogradeci, Lushnja, Vlora, Burreli apo Peshkopia. Dinamo nuk dashur në fusha si ato të Lushnjës, Burrelit, Peshkopisë. Pogradeci ka qenë larg dhe në fund është vendosur për Vlorën.