Adea Pirdeni, ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, e ftuar në podcastin ‘Flasim’ të Kryeministrit Edi Rama e ka konsideruar si një moment mjaft të rëndësishëm çeljen e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Europian.

Pirdeni kujton momentin kur në vitin e vështirë të pandemisë, Etilda Gjonaj, ministre e Drejtësisë në atë kohë, e ka kontaktuar dhe i ka propozuar për t’u bashkuar me skuadrën që do të punonte për integrimin e vendit në BE.

“Ishte një muzikë e padëgjuar për veshët e mi, pasi unë isha në botën akademike dhe nuk e kisha menduar fare se mund të përfshihesha në politikë, qoftë edhe sa i takon proceseve integruese”, tha Pirdeni.

Kryeministri Edi Rama tha se e mban mend këtë moment kur nisi ngritja e skuadrës me të rinj dhe të reja.

Pirdeni e konsideroi një proces shumë surprizues për potencialin që qëndronte i fshehur diku dhe që u shfaq gjatë atyre negociatave me Brukselin për 33 kapitujt.

“Ishte një proces në nivel njerëzor i jashtëzakonshëm, Në administratë kemi thesare, na lexohej në sy entuziazmi”, tha Pirdeni.

Kryeministri u shpreh se ishte mosbesues se nga ana e administratës do të kishte një përgatitje të tillë. “Ishte diçka e pazbuluar nga unë, kisha rënë edhe unë pre të atyre komenteve për administratën. Por ky proces na tregoi se kemi kapacitete”, tha Rama.

Në vijim ai u shpreh se BE nuk është perfekt, ka nevojë për tu rimenduar në funksion të projektit, por ka një gjë që shqiptarët e mbështesin BE, ne në qindra vjet s’kemi pasur mundësi të zgjedhim, për ne kanë zgjedhur të tjerët.

“Ne patëm mundësinë për zgjedhje kur na muri i Berlinit dhe ne zgjodhëm”, tha Rama. Ai u shpreh se për herë të parë po ngremë një rend ligjor demokratik. “Rendi ligjor do të thotë që të gjithë të jemi të barabartë para ligjit dhe demokracia funksionale, por ky procesi është një rrugë me dy korsi”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se ka kërkuar që në fillim që të ecim me reformat dhe të përmbushim sa më shumë detyrime.

“Unë iu thosha që s’ka rëndësi nëse na i pranojnë ose jo kërkesat për hapjen e negociatave, unë ju thoja ecim që kur të ulemi në tryezë të kemi bërë sa më shumë. Objektivi im që në fillim ishte 2030”, tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb