Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka thënë të shtunën se Hamasi – i cili është i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE do të “mbetet i gjallë”, megjithëse lideri i tij Yahya Sinwar u vra ditë më parë.

Khamenei tha në një komunikatë të shtunën se “humbja e Sinwarit është padyshim e dhembshme për Boshtin e Rezistencës”, duke iu referuar rrjetit të disa grupeve të mbështetura nga Irani në Lindjen e Mesme, ndër to edhe Hamasi.

“Por, ky front nuk do të ndalojë së përparuari me figura të rëndësishme martirizimi”, shtoi ai.

Sinwar, i cilësuar si arkitekti i sulmit të 7 tetorit 2023 që e nxiti luftën në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit, u vra në jug të Gazës nga një sulm izraelit më 16 tetor.

Vdekja e tij u konfirmuar një ditë më vonë nga një zyrtar i lartë politik i Hamasit.

Gjendja në Gazë vazhdon të jetë e rëndë, ku 21 njerëz, përfshirë fëmijë, u vranë nga bombardimet izraelite të shtunën, thanë zyrtarët shëndetësorë palestinezë.

Të paktën 10 prej tyre u vranë në pjesën qendrore të Gazës kur një shtëpi u godit në qytetin Zaëayda, sipas Spitalit Al-Aksa, ku u dërguan viktimat.

Një tjetër sulm vrau 11 njerëz, të gjithë nga e njëjta familje, në kampin e refugjatëve Maghazi, sipas spitaleve Al-Aksa në Deir al-Balah.

Qeveria izraelite tha se një dron u lëshua drejt shtëpisë së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, në qytetin bregdetar Caesarea mëngjesin e së shtunës. Zyra e tij tha në një komunikatë se as Netanyahu dhe as gruaja e tij nuk ishin në shtëpi në atë kohë. Nuk u raportua për viktima.

Sulmi me dron ndodhi në mëngjes derisa sirenat binin në Izrael, duke paralajmëruar për sulme të ardhshme nga Libani.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb