Të paktën 33 njerëz u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën nga sulmet izraelite që kishin në shënjestër disa shtëpi në një shesh të premten në Jabalia, kampi më i madh i refugjatëve në Rripin e Gazës, thanë ekipet mjekësore në këtë zonë. Banorë të këtij kampi thanë se tanket hodhën në erë rrugë dhe shtëpi ndërsa vazhdojnë të avancojnë më tej në territorin palestinez.
Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve WAFA tha se të paktën 20 gra dhe fëmijë ishin në mesin e të vrarëve. Mjekët thanë se të paktën 85 persona të tjerë u plagosën. Autoritetet izraelite ende nuk kanë bërë komente për sulmin.
Para sulmeve të reja, autoritetet shëndetësore në Rripin e Gazës thanë se të paktën 39 palestinezë, 20 prej tyre në Jabalia, ishin vrarë nga sulmet ushtarake izraelite në të gjithë Gazën të premten.
Banorët e kampit Jabalia në Gazën veriore thanë se tanket izraelite kishin arritur në qendër të kampit, të ndihmuara nga artileria e rëndë dhe sulmet ajrore, raportoi Zëri i Amerikës.
Ata shtuan se ushtria izraelite po shkatërronte dhjetëra shtëpi në ditë, nga ajri dhe toka.
Ushtria izraelite tha se forcat e saj, të cilat kanë operuar në Xhabalia në dy javët e fundit, vranë dhjetëra militantë gjatë luftimeve të enjten dhe kryen sulme ajrore, duke shkatërruar infrastrukturën ushtarake të militantëve palestinezë.