Veselinoviç, trajneri i Partizanit, dha mendimin e tij para ndeshjes me Elbasanin.
Përballë do të keni Elbasanin një skuadër që nuk pëson humbje prej 5 javësh –
Veselinoviç: Çdo statistikë mbetet për tu thyer. Po ashtu edhe ne prej 6 ndeshjesh nuk pësojmë humbje. Statistikat janë statistika, është e vërtetë që Elbasani është një skuadër mjaft e mirë, kam respekt për këtë skuadër, ka mjaft eksperiencë. Ju e dini më mirë se mua se të gjithë lojtarët e tyre kanë mjaft eksperiencë në kampionatin shqiptar. I respektojmë, por fillimisht duhet të mendojmë për veten tonë.
Elbasani rezulton edhe mbrojtja më e mirë e kampionatit deri tani –
Veselinoviç: Po është e vërtetë deri tani kanë pësuar vetëm 4 gola në 8 takime që kanë luajtur. Janë një ekip shumë kompakt dhe i fortë. Ata e dinë se çfarë kërkojnë . Për këtë e përmenda edhe pak më parë që i respektoj mjaft si skuadër. Të gjitha ndeshjet e tyre kanë qenë mjaft të forta. Gjithsesi çdo ndeshje është ndryshe nga tjetra. Nga momenti që fillon loja mjaft situata mund të ndryshojnë ndeshjen jo vetëm për ne, por edhe për kundërshtarët.
Si paraqitet gjendja e skuadrës –
Veselinoviç: Ju e dini që kemi patur 4 lojtarë të impenjuar me ekipet përfaqësuese. Ata nuk kanë qenë pjesë e procesit tonë stërvitor gjatë këtyre ditëve. Sot do të zhvillojmë edhe seancën e fundit stërvitore dhe vetëm pas përfundimit të saj do të jem më i qartë për për të vendosur cilët lojtarë do të jenë gati për nesër. Ismali zhvilloi ndeshje me përfaqësuesen në Letoni dhe pati një udhëtim të gjatë. Po ashtu edhe Hadroj në Gjeorgji ka patur një udhëtim të gjatë.
Jemi drejt fundit të fazës së parë. Ka presion për vendin e parë –
Veselinoviç: Kemi luajtur vetëm 8 ndeshje, kampionati është mjaft i fortë sepse 5 apo 6 ekipe luftojnë për titullin kampion. Faza play – off sigurisht do të jetë pjesa më e rëndësishme e sezonit. Një skuadër mund të ketë një ecuri pozitive deri në muajin prill, por mund të ketë dëmtime të lojtarëve kryesorë dhe në fund mund të humbas gjithë sezonin. Për mua rruga e duhur është të ecim hap pas hapi dhe ndeshje pas ndeshje.
Në 2 ndeshjet e fundit Partizani nuk pëson gol. Mendoni se tani skuadra i është përshtatur ideve tuaja –
Veselinoviç: Eshtë shumë pozitive që nuk kemi pësuar gol. Por unë jam një person që nuk kënaqem shumë. Unë gjithmonë mendoj se mund të bëjmë më mirë. Ne kemi mjaft lojtarë të rinj dhe më besoni që ata stërviten çdo ditë në maksimum dhe janë shumë të motivuar. Motivimi i tyre më jep mua më shumë kënaqësi , të ndihem shumë mirë. Kjo është diçka pozitive për të ardhmen e skuadrës tonë.