Arlind Ahmetaj, avokat, duke analizuar vendimin e Gjykatës së Romës për refugjatët, u shpreh në studion e Neës24 se marrëveshja Rama-Meloni nuk preket. Ai tha se Gjykata italiane ka për kompetencë të trajtojë rastet e kërkesave që bëhen nga azilkërkues specifikë.
Ahmetaj komentoi edhe deklaratën e kryeministres italiane, Giorgia Meloni se do të vazhdojë dërgimi i emigrantëve në Gjadër, duke shtuar se marrëveshja është në fuqi.
“Gjykata e emigracionit të Romës, që është gjykata ekskluzive që merret me çështjet e aplikimit të azilkërkuesve vendosi parimisht që në Shqipëri do të dërgoheshin vetëm ato azilkërkues që vinin nga shtete të sigurta. Sipas dekretit të ministrit në Itali, shtete nga Bangladeshi dhe Egjipti që kanë edhe gamën më të lartë të azilkërkuesve rreth 50 mijë në vit i ka klasifikuar si të sigurta këto shtete dhe emigrantët sillen në Shqipëri.
Gjykata e Romës bëri një diferencim, tha këto dy shtete nuk mund t’i klasifikojmë si shtete të sigurta edhe pse erdhi nga një dekret. Gjykata e Romës nuk ka marrë në shqyrtim marrëveshjen Rama-Meloni. Ajo gjykatë ka për kompetencë të trajtojë rastet e kërkesave që bëhen nga azilkërkues specifikë, prandaj edhe kam përshtypjen që kryeministrja ka deklaruar se do të vijnë të tjerë refugjatë”, tha ai.
“Ky vendim teknikisht nuk e rrëzon marrëveshjen në tërësi se nuk janë shprehur për ligjshmërinë ose jo të marrëveshjes, por e ka ndryshuar në mënyrë domethënëse sepse qëllimi i këtij pakti ka qenë pikërisht shtetet të cilat u shtuan në datën 7 maj 2024, Bangladeshi dhe Egjipti, nga vjen pjesa më e madhe e azilkërkuesve, kishte një shqetësim nga pala italiane për këta shtetas. Gjykata ka thënë se duhet t’i trajtosh hap pas hapi nëse një shtet është i sigurt ose jo se ky shtet i përball azilkërkuesit me diskriminim dhe trajtim të pabarabartë”, vijoi Ahmetaj.
(BalkanWeb)