Apple e ka njoftuar Radion Evropa e Lirë (REL) se e ka hequr aplikacionin e Current Time nga versioni rus i App Store, me kërkesë të Roskomnadzorit, agjencisë ruse për rregullimin e mediave.

Në një letër drejtuar REL-it, Apple sqaroi se arsyeja e heqjes së aplikacionit është se ai përmbante përmbajtje që cilësohet e paligjshme në Rusi dhe materiale nga një organizatë që autoritetet ruse e kanë shpallur “të padëshiruar”.

Current Time është rrjet televiziv dhe platformë digjitale në gjuhën ruse, e udhëhequr nga REL-i.

REL-i, një organizatë e pavarur mediatike e financuar nga fondi i Kongresit amerikan përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Media Globale, transmeton në 27 gjuhë në 23 vende të botës, kryesisht në rajone liria e medias është e kufizuar.

Projektet e REL-it në gjuhën ruse janë vënë nën trysni të shtuar nga Qeveria, veçanërisht pasi Moska e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës më 2022.

REL-i nuk e ka komentuar deri tani vendimin e Apple.

Pasi Moska e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022, Roskomnadzor bllokoi faqet e internetit të REL-it, përfshirë ato të Shërbimit rus të njohur si Radio Svoboda dhe Current Time.

Më 6 mars 2022, REL-i pezulloi punën në Rusi, pas masave të ashpra të Qeverisë ruse, duke përfshirë një kërkesë nga Shërbimi Federal i Tatimeve i Rusisë për ta shpallur falimentimin e degës ruse të organizatës.

Sipas REL-it, këto masa ishin kulmi i përpjekjeve shumëvjeçare të Qeverisë ruse për të penguar punën e tij.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: