Ish-deputeti i PS, Jurgis Çyrbja u arrestua sot ne urdhër të SPAK, për tre vepra penale. Ai akuzohet nga Prokuroria e Posaçme si i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Korrupsioni altiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal; “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/1/2 të Kodit Penal si dhe “Tregëtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit” parashikuar nga neni 295/1 i Kodit Penal.
Përpos tre akuzave zyrtare, BalkanWeb mëson se Çyrbja ishte edhe përdorues i aplikacionit Sky ECC dhe ka komunikime aty me segmente të krimit të organizuar.
Ishte një kallëzim i deputetit të PD, Edi Paloka ndaj Çyrbjes për shpërdorim detyre që ka shërbyer si indicie për SPAK, për të thelluar hetimet ndaj socialistit
Kallëzimi i Palokës
Ishte data 18 prill 2021, vetëm një javë para zgjedhjeve parlamentare të atij viti. Në cilësinë e drejtuesit politik të PD në Qarkun e Durrësit, Edi Paloka dërgoi në SPAK deputetin dhe kandidatin atëhershëm socialist Jurgis Çyrbja, i akuzuar për “shpërdorim detyre”.
Në konferencën për mediat nga selia e degës lokale të PD, Paloka tha se Çyrbja akuzohet për mbivendosje prone. Sipas Palokës, ish-drejtori i Hipotekës së Durrësit, Jurgis Çyrbja brenda një dite kishte firmosur dy praktika për të njëjtën pronë, por në dy emra të ndryshëm duke realizuar kështu në mbivendosje prone.
Në të njëjtën kohë, Paloka tha se edhe javët e fundit (prill 2021), Çyrbja ka qenë i pranishëm në Kadastrën e Durrësit duke shpërndarë certifikata dhe legalizime, njësoj sikur të ishte ende drejtor Hipoteke.
Ndërkohë pjesë e denoncimeve të PD ishin edhe drejtues të institucioneve lokale dhe anëtarë të PS në Durrës, me akuzën e përfshirjes në blerjen e votave.
***
Sot, Jurgis Çyrbja u arrestua me urdhër të SPAK. Ish-deputeti socialist disa ditë më parë u mor i pandehur nga SPAK. Pasi iu komunikua akuza nga prokurorët e posaçëm, Çyrbja dorëzoi mandatin e deputetit.
(Balkanweb)