Ditën e djeshme përfundoi në pranga me urdhër të SPAK ish-deputeti socialist Jurgis Çyrbja. Bashkë me të u shoqërua në qeli edhe një tjetër, ndërsa është identifikuar personi i tretë i shpallur në kërkim.
BalkanWeb mëson se bëhet fjalë për Altin Hajrin, emër i njohur i botës së krimit në Shijak, i cili del në bisedat në aplikacionin Sky ECC në vitin 2020.
Biseda në të cilët përfshihet edhe një emër tjetër i botës së krimit, Edmond Koçi i njohur edhe si Mond Çekiçi.
Bisedat në aplikacionin që u “hapi punë” krerëve të grupeve kriminale, por jo vetëm, zhvillohen në mënyrë që të “rregullohen punët” në atë mënyrë, që Çyrbja të ishte pjesë e emrave të sigurt në listat për zgjedhjet e kaluara. Kështu, emrat e skeduar nga drejtësia “punojnë” në mënyrë që Çyrbja të jetë deputet duke u renditur i treti në listën e kandidatëve të 25 prillit 2021.
Altin Hajri vijon të jetë në kërkim për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës, trupi i të cilit ende nuk është gjetur. Ndërsa Edmond Koçi i njohur si “Mond Çekiçi”, ish-anëtar i Bandës së Durrësit është ekzekutuar në mars 2021, ngjarje kjo e përkufizuar nga autoritetet ligjzbatuese si “larje hesapesh”.
(BalkanWeb)