Një fitore me “manita” për të ndezur “El Clasico-n” e parë sezonal. Barcelona “shpërthen” ndaj Sevilla-s duke dalë më tre pikë pas fitores së thellë 5-1. Robert Lewandowski nuk di të ndalet këtë sezon, me polakun që zhvilloi një tjetër mbrëmje të madhe, autor i një “dopiete”. Fillimisht në minutën e 24-të, Leva u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, ndërsa katër minuta më pas ishte Pedri me një super gol që dyfishoi shifrat. Në të 39-tën, Lewandowski devijoi saktë një goditje të Raphinha-s duke mbyllur praktikisht llogaritë me Sevilla-n. Ky ishte goli i tij i 12 në La Liga.

Në pjesën e dytë, Hansi Flick nisi “valsin” e zëvendësimeve duke freskuar ekipin, mes tyre hodhi në fushë edhe Pablo Torre, i cili në minutën e 82-të me një goditje të fortë brenda në zonë kompletoi “pokerin” e golave. Momenti më emocionues i këtij takimi erdhi në minutën e 83-të ku Flick hodhi në fushë Gavi-n. Pas 11 muajsh larg fushës së lojës, si pasojë e një dëmtimi të rëndë, mesfushori spanjoll u rikthye të luajë, madje Pedri i dhuroi dhe shiritin e kapitenit. Sevilla realizoi golin e nderit në minutën e 87-të, por një minutë më pas, Pablo Torre hodhi një kros në zonë, me topin që përfundoi drejtpërdrejtë në rrjetë duke sigluar shifrat në 5-1.

Fal këtij suksesi, Barcelona ruan kreun, plus 3 nga Real Madrid. Kjo ishte një fitore e rëndësishme për Barçën përpara një kalendari asfiksues pasi do të përballen me Bayern Munich në Champions dhe më pas me Real Madrid:

“Jam shumë i lumtur, i vetmi detaj negativ ishte goli i pësuar. Do festojmë, por nga sot do të mendojmë për ndeshjen e radhës kundër Bayern Munich. Jam shumë i lumtur edhe për Gavi-n, atmosfera në stadium kur ai u fut në fushë ishte fantastike”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb