Altin Hajri është një prej personave të shpallur në kërkim në dosjen hetimore që çoi në qeli ish-deputetin e PS-së Jurgis Cyrbja, i akuzuar për tre vepra penale. Por Hajri nuk është një emër i ri, i lakuar nga drejtësia dhe në shënjestër të punës së institucioneve të drejtësisë.

Ai bashkë me vëllain Emiljano Hajrin, janë akuzuar si pjesë e krimit të organizuar për disa vepra penale. Së pari ata janë akuzuar për trafik droge Itali-Shqipëri më shumë se 10 vite më parë, duke e mbuluar aktivitetin ilegal me një kompani të tregtimit të karburanteve.
Dosja u publikua në muajin tetor të vitit 2015 dhe të dyshuar ishin vëllezërit Altin dhe Emiljano Hajri, të cilët rezultojnë dhe pronarë të kompleksit luksoz “Golden”, në Shijak.

Altin Hajri u shpall në kërkim atëkohë si kreu i organizatës kriminale të 21 shqiptarëve të përfshirë në trafikun e drogës. Ai rezultonte pronar i “Alt Oil 2008” me seli në fshatin Xhafzotaj, e krijuar në vitin 1998. Pasuria e tyre llogaritej në atë kohë 10 milionë euro.
Vetëm pak ditë më pas, media italiane dhe autoritetet shqiptare publikojnë edhe dosjen e koduar “Enigma”, që zbuloi të tjera të dhëna nga trafiku.

Autoriteteve të Antimafias Italiane iu deshën disa vjet për ta gjurmuar dhe zbërthyer, derisa mësuan përmbajtjen e mesazheve që dy vëllezërit, krerë të organizatës, përcillnin nëpërmjet ‘ambasadorit’ të tyre, Fortuz Hajri, i arrestuar atëkohë në Itali.
Sipas hetimeve, mesazhet jepeshin të koduara në copa letre ose me fjalë dhe u përcilleshin anëtarëve.

Altin Dhe Emiljano Hajri
Altin Dhe Emiljano Hajri

Hetimet ndaj tij u pushuan shpejt dhe iu rikthye edhe pasuria e sekuestruar me vlerë 10 mln euro. Gjithashtu Gjykata e Apelit Durrës i kishte shuar edhe një dënim me 7 vite burgim, për tentativën e vrasjes së një hidrauliku, ngjarje e ndodhur më 24 dhjetor 2017, në fshatin Pjezë.

Altin Hajri lëvizte i lirë në Shqipëri, derisa emri i tij ridoli në skenë në muajin Janar të vitit 2020, kur u rrëmbye dhe u zhduk Jan Prenga.
Pronari i kompleksit “Golden” cilësohet si një nga organizatorët e rrëmbimit më 17 Janar 2020 në Kamëz. Ai u dërgua nga grupi kriminal drejt kompleksit, ku u dhunua barbarisht dhe dyshohet se humbi jetën.

Sipas hetimeve, shkak për pengmarrjen ishte bërë një ngarkesë kokaine prej 260 kg, e vjedhur në portin e Portsmuthit për të cilën akuzohej vëllai i Jan Prengës dhe një mik i tij në Angli, por që i përkiste një karteli shqiptar.

Policia dhe Prokuroria zbuluan nga një kamera e kompleksit “Golden” veprimet e grupit kriminal, teksa lëviznin trupin e pajetë të Prengës për ta zhdukur.

Fillimisht u arrestuan 6 persona dhe shpallën në kërkim 8 të tjerë. Dosja u nda, Altin Hajri u arratis dhe shpall në kërkim.
Aktualisht Prokuroria e Posaçme ka zbuluar se ish-deputeti Jurgis Çyrbja, i cili ndodhet në qeli pas arrestimit ditën e djeshme, ndihmoi “të fortin e Shijakut” t’i shpëtonte drejtësisë, pasi u shpall në kërkim për Prengën. SPAK bën me dije se Çyrbja dekonspironte operacionet e policisë, duke njoftuar Altin Hajrin, e kur rrezikonte arrestimin. Ai e ka fshehur në pronat e tij, kryesisht banesa. Komunikimet në platformën e koduar SKY EÇ kanë provuar dyshimet. Hajri është shpallur sërish në kërkim dhe nuk është gjetur nga kontrollet e kryera nga Policia dje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: