Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, tha për transmetuesin publik serb se kërkon që të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë të respektohen.

Në intervistën për RTS-në, O’Brien tha se sa i përket themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe është e rëndësishme që të respektohen marrëveshjet. Në këtë drejtim, ai tha se duhet që në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës të kalojë një draft-statut për Asociacionin.

Zyrtari i lartë amerikan tha po ashtu se duhet të ketë një diskutim më të gjerë lidhur me integrimin e serbëve që jetojnë në Kosovë.

“Asociacioni është një hap i rëndësishëm. Është e rëndësishme të shënohet përparim edhe para formimit të Asociacionit. Është e rëndësishme që njerëzit të jetojnë normalisht, të regjistrohen martesat, fëmijët që lindin dhe në të gjitha këto të punojmë njëkohësisht. Obligimet ekzistojnë që nga viti 2015, kur u nënshkrua [marrëveshja për Asociacionin]. Nuk mund t’iu ofroj një afat kohor, por më e rëndësishmja është që serbët të jetojnë sikurse qytetarët evropianë”, tha O’Brien.

Që nga viti 2013, Kosova dhe Serbia janë pajtuar për themelimin e Asociacionit. Më 2015, është arritur edhe Marrëveshja mbi parimet për themelimin e këtij asociacioni. Por, marrëveshjet nuk janë zbatuar kurrë. Kosova ka shprehur drojën se një asociacion i tillë njëetnik mund të ndikojë në funksionimin e shtetit.

Po ashtu, së fundi Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë disa veprime në veriun e banuar me shumicë serbe, përfshirë edhe mbylljen e disa institucioneve që funksiononim sipas sistemit të Serbisë. Faktori ndërkombëtar, përfshirë SHBA-në, i kanë cilësuar këto veprime si të njëanshme dhe të pakoordinuara.

O’Brien tha se për moskoordinim të veprimeve të Prishtinës me Uashingtonin “ka pasoja, dhe pasoja më e madhe ishte që shtetet në Evropë nuk mundësuan pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. E gjithë kjo për shkak të moskoordinimit”.

Zyrtari amerikan po ashtu e mirëpriti vendimin e Qeverisë së Kosovës për hapjen e pikëkalimit kufitar në Merdarë për mallrat serbe, ndalesë që ishte vendosur në korrik të vitit 2023.

O’Brien më 20 tetor ka qëndruar në Serbi, ku është takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Ai raportohet se të hënën do të qëndrojë në Kosovë./Rel/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: